Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 4-t gjatë vitit kishtar “C”
Asnjë profet nuk është i pranuar në atdheun e vet, po Krishti na bindë me dashuri
e jo me mrekulli! Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën
e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike
të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas
kalendarit liturgjik të Kishës. Leximet biblike të dielës së 4-të gjatë vitit na
propozojnë temën e fortë të “profecisë”. Jezu Krishti është profeti i vërtetë që
kumton dhe realizon shpëtimin e Zotit në të gjithë e për të gjithë ata njerëz që e
dëgjojnë me dashuri dhe e ndjekin konkretisht në udhën e jetës. Jezu Krishti është
më shumë se një profet. Ai jo vetëm që fol në emër të Zotit, por është vet Zoti që
flet përmes Tij. Në sinagogën e Nazaretit, sikur do të dëgjojmë nga pjesa ungjillore
e kësaj së diele nga Luka (Lk 12,31-13,13), del në pah ‘pretendimi’ i Tij prej profeti:
Jezusi paraqitet dhe shfaqet porsi Ai në të cilin profecitë e vjetragjejnë plotësim.
Ungjilli i kësaj së diele tregon për reagimet e ndryshme të njerëzve, madje të banorëve
bashkëvendas ndaj Jezusit. Herë herë janë reagime të dhunshme, herë tjera reagime
refuzimi, që nuk duan të njohin në Të praninë e Zotit, vet Zotin. Banorët e Nazaretit
e refuzojnë dhe kundërshtojnë Jezusin. Edhe sot, ka njerëz që e refuzojnë e ka njerëz
që janë të tërhequr e të mahnitur nga Ai. Para personit të Jezu Krishtit Zoti kemi
reagime të ndryshme e të kundërta: nga mrekullimi tek indinjata. Ungjilli i kësaj
së diele na pyet edhe ne: çfarë kërkojmë ne nga Krishtit Zot?! Të bëj mrekullina edhe
në jetën tonë, siç kërkonin banorët e Nazaretit, duam që planet e Zotit ti përshtaten
dëshirave e synimeve tona. Jezusi flet për Hyjin Atë që përkujdesët për lumturinë
e vërtetë të çdo njeriu dhe na propozon udhën e jetës, udhën e Ungjillit përmes së
cilës ne mund të bëhemi e të jemi krishterë të vërtetë, do të thotë bartës të dashurisë.
Krishti nuk don të na mrekulloi por të na shpëtoi. Krishti na bindë me anë të
dashurisë e jo të mrekullisë, për këtë na tregon e ofron udhë e mundimshme të Kryqit
që është udhë e dashurisë së vërtetë, udhë e lumturisë së vërtetë. Realizimi i jetës
dhe shpëtimi varën nga përcaktimeve e zgjedhjet që bëjmë në jetën para planit të Zotit. Hyji
nuk është indiferent ndaj historisë njerëzore, madje ka dëshirë të vërë në jetë planin
e harmonisë dhe të paqes. Për ta përmbushur këtë plan mbarë njerëzimi është i thirrur
të bashkëpunojë me vullnetin shëlbues hyjnor, një vullnet që shtrihet mbi të gjithë
njerëzit, mbi të gjitha breznitë e mbi të gjithë shekujt.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Jer 1, 4-5.17-19
Gjatë
periudhës tragjike të rënies së mbretërisë së Judës, Hyji thërret një njeri paqësor
të quajtur Jeremia dhe i beson detyrën të denoncojë nga ana e Zotit një shoqëri të
korruptuar. Jeremia mëson se jeta e tij do të jetë një luftë e vazhdueshme kundër
të fuqishmëve. Ai do të ketë guximin për tu rezistuar gënjeshtrave dhe për të refuzuar
hipokrizinë dhe do të vërë në dyshim iluzionet dhe siguritë e rreme të njerëzve të
kohës së tij.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Fjalët e
Jeremisë, birit të Helcisë, një prifti që banonte në Anatot, në dheun e Beniaminit.
Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Para se të trajtoja në kraharorin amënor,
të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh
profet i të gjithë popujve. Prandaj ngjeshi ijët e tua! Në këmbë, pra! Thuaju të
gjitha që unë po të urdhëroj. Aspak mos u tremb para tyre, përndryshe do të të bëj
që të dridhesh para tyre! Ja, unë sot ty po të bëj qytet të fortifikuar, shtyllë
hekuri, mur tumbaku përballë të gjithë vendit, përballë mbretërve të Judës e princave
të tij, priftërinjve të tij e popullit të vendit. Ata do të luftojnë kundër teje,
por s’do të ngadhënjejnë mbi ty, sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj”, thotë Zoti. Fjala
e Zotit.
Psalmi 71
Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde ---------- Në
ndoren tënde, o Zot, askurrë mos u turpërofsha. Më shpëto e më dil zot pashë
drejtësinë tënde, prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo! ---------- Ji
për mua shkëmb mbrojtjeje, kullë e pamposhtur për të më shpëtuar, sepse ti je
kështjella ime e strehimi im, Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit. ---------- Sepse
ti, o Zot, je shpresa ime, uzdaja ime, o Zot, qysh prej rinisë sime. Në ty jam
mbështetur qysh prej kraharorit të nënës, qysh prej prehrit të nënës ti
je mbrojtësi im. ---------- Do ta shpall pushtetin e Zotit, o Zot, do të
kujtoj vetëm drejtësinë tënde. Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime dhe
ende sot i kumtoj mrekullitë e tua. ----------
Leximi i dytë 1 Kor 12,
31 – 13, 13
Pali Apostull në të gjitha ngjarjet e tij misionare ka qenë dëshmitar
i dashurisë së Hyjit. Në këtë pjesë Ai i këndon kësaj dashurie. Është një dhuratë
që i tejkalon të gjitha të tjerat. Është dashuria që zbret nga Hyji, që përqafon
të gjitha krijesat dhe është virtyti më i madh. Kush e pranon dashurinë jeton tashmë
në jetën hyjnore.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar
Korintianëve
Dhe, ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po t’i folja
gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi
që kumbon e porsi cimbali që tingëllon! Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija
të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën
të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë!
Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por,
po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë! Dashuria është zemërgjerë,
është e dhimbshme, nuk ka smirë, nuk është mendjemadhe, nuk krenohet, nuk është e
panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen,
nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka,
shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë,
gjuhët shuajnë, njohuritë marrin fund. Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e
kufizuar është profecia jonë. Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është e kufizuar
do të marrë fund. Kur isha fëmijë folja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si
fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka çka i përket fëmijërisë. Vërtet, tani shikojmë
si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas! Tani njohuria
ime është e kufizuar, atëherë do të njoh plotësisht, sikurse jam i njohur. Tani,
veç, mbetet feja, shpresa e dashuria – këto të tria – porse më e madhja ndër to është
dashuria. Fjala e Zotit.
† Ungjilli Lk 4, 21-30
Luka
vendos në gojën e Jezusit një ligjëratë të vërtetë të programit të tij, që zbulon
idenë themelore të Ungjillit të Lukës: shpëtimi i dhuruar më parë hebrenjve duhet
të shpërndahet në të gjitha vendet. Banorët e Nazaretit kundërshtojnë fjalët
e Jezusit, sepse prisnin nga Ai jo shpalljen e një angazhimi për çlirim, por shenja
të ndjeshme të fuqisë së tij, pra mrekulli.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas
Lukës
Në atë kohë, Jezusi mori fjalën në sinagogë dhe tha: “Sot shkoi në
vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.” Të gjithë e miratonin
dhe u mrekullonin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë,
a nuk është ky biri i Jozefit?” Atëherë u tha: “Me siguri do të ma thoni atë fjalë:
‘Mjek, shëro veten! Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin
tënd!’ Për të vërtetë po ju them – vazhdoi – asnjë profet nuk është i mirëseardhur
në vendin e vet. Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli
u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë
vejusha në Izrael, dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në
Sareptë të Sidonisë. Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael
dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.” Këto fjalë i mbushën
me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. U çuan në këmbë, e qitën jashtë qytetit,
e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer
qafën në greminë. Por ai kaloi përmes tyre dhe vijoi rrugën e vet. Fjala
e Zotit. Këtu mund ta dëgjoni programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës
së Zotit të kësaj së diele të tretë gjatë vitit Kishtar......