2013-02-01 17:19:16

Indi: në Karnataka, të krishterët e shikojnë me frikë takimin e hinduistëve


Shumë e shqetësuar, bashkësia e krishterë e Karnatakës, në prag të takimit të Rashtria Savaiamsevak Sang, grup ultranacionalist hinduistësh, që ushtrojnë dhunë të egër kundër pakicave etnike e fetare në Indi. Kuvendimi i hinduistëve do të mbahet në Mangalore, më 3 shkurt, e Sajan George, kryetar i Këshillit të përgjithshëm të të krishterëve indianë (Gcic) kërkon nga Komisioni kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (Nhrc) si dhe nga kryeministri i Shtetit, t’u garantojë të krishterëve mbrojtje të veçantë për jetën, pronat e lirinë e kultit, në mjedise publike e private.
Që nga viti 2008, Karnataka qeveriset nga partia Baratia Janata e ultranacionalistëve hinduistë, shumë pranë grupeve, si ai që kujtuam në fillim të këtij lajmi të trishtuar, shpesh autorë kryesorë të dhunës e të persekutimeve kundër pakicës së krishterë. Pas tre muajsh popullsia do të votojë për zgjedhjen e qeverisë së re, e sipas Sajan George, partia në fuqi dëshiron ta shfrytëzojë takimin për të forcuar bazën zgjedhore e edhe për të afirmuar identitetin e vet nacionalist.
Në Karnataka, nënvizon kryetari Sajan George, janë bërë tashmë disa përpjekje për ta ngulitur ideologjinë hinduiste, duke u nisur nga librat shkollorë. Në takimin shqetësues, priten të marrin pjesë më se 100 mijë ithtarë të hinduistëve fondamentalistë, e ky mobilizim mund të kthehet lehtë në sulm kundër të krishterëve.
Në vitin 2008, në përkim me progromet kundër të krishterëve në Orisa, Karnataka nuk shpëtoi nga sulmet kundër kishave e bashkësive të saj e, prej kohe, njihet si një nga shtetet më të rrezikshme për pakicën.
Sipas një raporti mbi të dhënat që kanë të bëjnë me persekutimin e të krishterëve, Karnataka zë vendin e parë edhe në vitin 2012, me 42 raste dhune, nga 135 që janë vërtetuar në gjithë Indinë.










All the contents on this site are copyrighted ©.