2013-01-31 14:42:30

Veprimtaria e Kishës, që drita e Hyjit të hyjë në botë


Romë: Sot, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u mbajt konferenca me gazetarët për paraqitjen e Asamblesë vjetore të Këshillit Papnor të Kulturës, me temë “Kultura rinore emergjente”.
Romë: Lëvizja Kishtare ‘Ndihmë për Kishën që vuan” organizoi sot një takim, për të përkujtuar dhjetëvjetorin e vdekjes së themeluesit, atë Verenfried van Straaten (17. 01. 1913 – 31. 01. 2003).
Në këtë takim, mbajtur pranë Pallatit të Shën Kalistit, bashkëpunëtorja më e afërt e atë Verenfriedit, Antonia Villemsen, kujtoi jetën dhe veprimtarinë e murgut premonstratens, që dha një ndihmë të pakursyer në të katër anët e botës, një herë për shërimin e plagëve të Luftës II Botërore, më pas, të plagëve, që vijonte të hapte komunizmi në gjysmën e botës. Prej këndej, edhe emri i lëvizjes “Ndihmë për Kishën që vuan”. Dora bamirëse e atë Verenfriedit arriti edhe në Shqipëri, me ndihma të natyrave të ndryshme, sidomos me letërsi kishtare të përkthyer në shqip, me mbështetje materiale për meshtarët e persekutuar, të sapo kthyer nga burgjet, në Kishat gjysmë ose krejtësisht të rrënuara edhe me bursa studimi, për meshtarët e rinj e murgeshat. Veprimtari të tilla, të paharrueshme, u kujtuan në takimin e paradites, dhjetë vjet pas vdekjes së rregulltarit të madh.
Pasdite, pastaj, në kishën e Shën Marisë në Traspontinë, për shpirtin e Atë Verenfriedit, u kremtua një Meshë, e kryesuar nga kryetari i sektorit italian të ‘Ndihmë për Kishën që vuan’, imzot Sante Babolin, në bashkëkremtim me shumë meshtarë, përfaqësues të vendeve ku Kisha vijon të vuajë, të persekutohet, e edhe të ndihmohet nga Lëvizja e themeluar nga atë van Straaten, vepra të cilit vijon të shtegtojë nëpër botë.

Indi: Në Bangalore të Indisë sot u hap Konferenca katërditore ndërkombëtare, e titulluar “Të rivizitojmë Koncilin II të Vatikanit; 50 vjet përtëritje”. Organizator është Universiteti Papnor “Dharmaran Vidia Kshetram” i filozofisë, teologjisë dhe drejtësisë kanonike, në bashkëpunim me Komitetin Papnor të shkencave historike dhe me fakultetet teologjike të disa universiteteve evropiane, si Universiteti katolik i Luvenit, në Belgjikë; i Tübingen në Gjermani si dhe institucione universitare të Italisë, Francës e vendeve të tjera evropiane.
Më se 330, pjesëmarrësit, që po analizojnë ndikimin e Koncilit mbi Kishën universale, duke i kushtuar vëmendje të posaçme Kishave në Azi.
Të larmishme, veprimtaritë, nga sesionet plenare, tek tryezat e rrumbullaka, në të cilat, për katër ditë me radhë, do të marrin pjesë studiues të njohur nga vende të ndryshme të botës të cilët, duke u nisur nga rrethanat historike, kulturore, filozofike, teologjike e baritore, kur mblodh Koncili II i Vatikanit, do të thellohen në njohjen e përmbajtjes së dokumenteve konciliare, duke vënë theksin mbi aktualitetin e tyre për risimin e Kishës e të rolit të saj në shoqëritë e sotme.
Punimet i hapi sot kardinali Zenon Groholevski, Prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik.

Belgjikë: Përfundoi sot shtegtimi i relikeve të Shën Gjon Boskos në Ispetoria, në veri të vendit. Vizita e Pajtorit të të rinjve në Belgjikë, nisi më 15 janar, për t’u mbyllur, në ditën festës së tij liturgjike. U shoqërua me shumë veprimtari, kishtare e kulturore, në një vend ku ndjehet fort prania e salezianëve.

Torino: E pikërisht për festën liturgjike të Shën Gjon Boskos (Kastelnuovo d’Asti, 16 gusht 1815– Torino, 31 janar 1888), sot, në Torino, vendi ku Shenjti themeloi Kongregatën e Salezianëve dhe të Bijave të Zojës ndihmëtare (salezianet) e prej nga u nis për në Shtëpinë e Atit qiellor, u mbajtën kremtimet kryesore në përkujtim të Pajtorit të të rinjve.
Në orën 11.30 nisi kremtimi solemn eukaristik, kryesuar nga kryeipeshkvi i Torinos, Cesare Nosilia.
Pasdite, Mesha për anëtarët e Lëvizjeve rinore saleziane, me pjesëmarrje masive të salezianëve. Ishin përplot mjediset, që bijtë e dom Gjon Boskos ia kushtojnë rinisë.
Francë: Sot, në Francë, u organizuan manifestime të reja masive kundër ligjit të martesave për të gjithë, në mbrojtje të martesës ndërmjet një burri me një grua. Bashkojnë edhe një herë, nën të njëjtin flamur, njerëz me besojma nga më të ndryshmet, në vijim të ‘Manifestimit për të gjithë”, që u mbajt pak ditë më parë. Duke shmangur çdo lloj homofobie, apo frike e kundërshtimi të paarsyeshëm kundër homoseksualitetit e personave gei, lesbikë, biseksualë e transeksualë, turma del përsëri në shesh për të kërkuar që martesat ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks, të quajtura “martesa për të gjithë”, të mos vihen nën mbrojtjen e ligjit. Një manifestim i tillë tregon qartë se një pjesë e mirë e popullsisë: katolikë, protestantë, hebrenj e disa kategori të tjera, nuk e ka ndër mend të dorëzohet në këtë pikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.