2013-01-31 14:41:55

Venezuelë. Aksident në burgun e Uribanës, solidariteti i Papës: të mos përsëriten kurrë më drama të tilla.


Pas ndeshjeve të dhunshme të 25 janarit në burgun venezuelan të Uribanës, gjatë të cilave humbën jetën 58 vetë, shumica të burgosur, Papa i fton autoritetet e vendit të përpiqen që fakte të tilla dramatike të mos përsëriten kurrë më.

Benedikti XVI i nxit institucionet të vijojnë punën me frymë bashkëpunimi e me vullnet të mirë, për t’i zgjidhur problemet e për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla dramatike në të ardhmen. Thirrja bëhet përmes një telegrami ngushëllimi, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, në të cilin Papa shpreh keqardhje të thellë për aksidentet tragjike, duke siguruar se lutet për të vdekurit dhe ndjehet shpirtërisht pranë familjeve të viktimave e rreth 90 të plagosurve.
Pikërisht dje, qeveria venezuelane vendosi ta zgjasë edhe tre muaj të tjerë gjendjen e emergjencës në burgje, për të ngritur ndërtesa të reja.
Sipas Vëzhguesit venezuelan të burgjeve, në vend kryejnë dënimin mbi 45 mijë të burgosur, në ngrehina, që zënë vetëm 15 mijë. Tragjedia nisi pas një kontrolli nga ana e rojeve kombëtare, që shaktoi ndeshjen e papritur me të burgosurit, të cilët ua rrëmbyen armët rojeve.
OKB-ja fajëson për këtë ndeshje autoritetet venezuelane. Ndërsa Kisha në vend flet për një politikë të papërshtatshme të qeverisë në mbarshtimin e burgjeve, ku është grumbulluar një masë njerëzish, që nuk kanë hapësirën as ushqimin e duhur, pa llogaritur shpërthimet e vazhdueshme, të pakontrolluara, të dhunës. Kërkon, prandaj, hetime të pavarura e të paanshme, që do të krijojnë kushte për t’i gjetur e për t’i dënuar shkaktarët e tragjedive të përsëritura.








All the contents on this site are copyrighted ©.