2013-01-30 15:13:50

Zgjidhet pasardhësi i 119-të i Shën Françeskut: sërish atë Taska


Atë Marko Taska u rizgjodh Epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël Konventualë prej 99 rregulltarëve françeskanë, mbledhur në Asizi të Italisë, nga të pesë kontinentet. Ai është pasardhësi i 119-të i Shën Françeskut. Kapitulli i përgjithshëm e konfirmoi në detyrë atë Taskën, pas dhjetë ditësh me lutje, konfrontime dhe verifikime.
“Është dhuratë e madhe për mua – deklaroi atë Marko Taska – t’u shërbej për gjashtë vjet urdhërit dhe fretërve të të gjithë botës. Të shoh sa fantazi e dëshirë për ta jetuar Ungjillin ekziston, sa afërsi me njerëzit e me të varfërit e sa dëshirë për të përballuar të ardhmen kanë fretërit tanë. Prandaj, pranimi im është si t’i jap edhe një herë besim Zotit e fretërve të mi… I lutem Hyjit e Shën Françeskut të na ndihmojnë të jemi dëshmitarë të bukurisë e të shpresës së Ungjillit”.
Duke e hedhur vështrimin në konfliktet e botës e, sidomos në gjendjen e vështirë të Tokës Shenjte, atë Taska propozoi të ndërhyhet në nivelin kulturor, duke u mësuar njerëzve ta pranojnë tjetrin, pa ia ndryshuar identitetin e pa e ndryshuar as ata vetë. Gjithashtu, sipas Eprorit të përgjithshëm të Fretërve të Vegjël Konventualë, ka rëndësi të jashtëzakonshme dialogu me myslimanët.
Pikërisht në një ambient myslimanësh, por edhe ortodoksësh, jetojnë e punojnë françeskanët konventualë në Shqipëri. Ata janë të pranishëm në Fier, që nga viti 2007. Kryejnë veprimtari ungjillëzuese dhe kujdesen për baritorinë e katolikëve vendas. Kuvendi i tyre, kushtuar shën Maksimilian Kolbes, u ndërtua në vitin 2011. Fretërit e pranishëm janë të gjithë misionarë sllovakë, me epror atë Jarosllav Maria Car. Më të hershëm se konventualët në Shqipëri, janë pa dyshim fretërit e vegjël e kapuçinët, më të njohur edhe nga popullsia për kontributin e tyre fetar, kulturor e atdhetar.








All the contents on this site are copyrighted ©.