2013-01-30 15:14:42

Siri: e tmerruar Kisha armene katolike për masakrën e Halebit.


“Si pasojë e kushteve, në të cilat jetojmë prej më se një viti, po mësohemi me tmerrin e përditshëm”. Kështu ia përshkruan kryeipeshkvi i armenëve katolikë të Halebit, imzot Butros Marjati, agjencisë Fides, situatën që po jetojnë banorët e metropolit sirian, ku dje u gjetën dhjetra kufoma të rinjsh, viktima ekzekutimesh të menjëhershme kolektive, pa gjyq. “Dëgjojmë për ditë lajme për masakra të reja e zhurmë të tmerrshme bombardimesh. Jetojmë ditë-natë në gjendje tensioni e tmerri. E jeta bëhet edhe më e vështirë, për shkak të luftës për jetesën e përditshme, në një vend ku nuk ka as ujë për të pirë, as karburant, për të ngrohur shtëpitë. Të shtypur nën barrën e një situate të tillë, nuk na del fare kohë as të mendojmë për tmerret, që na rrethojnë. Masakra në universitet, pak ditë më parë, ku humbëm edhe murgën motër Rima, na duket tashmë si të kishte ndodhur qëkur. Duke vijuar shkëmbimin e akuzave, mediat qeveritare ia ngarkuan përgjegjësinë e masakrës brigadave xhihadiste të Xhabat Al-Nusra, ndërsa grupet e koaliconit e të opozitës e quajtën “masakër e re, e tmerrshme, e kryer nga regjimi”.
Sipas kryeipeshkvit armeno-katolik të Halebit, pamundësia për t’i verifikuar zhvillimet e vërteta të këtyre fakteve gjakatare, i bën edhe më tronditëse kushtet, në të cilat jeton popullsia, e tmerruar nga vijimi i padurueshëm i konfliktit. “Vërejmë se të gjitha informacionet janë të deformuara. Nuk mund t’u besosh fjalëve që dëgjon, e nuk ka asnjë mundësi t’i verifikosh faktet, që ndodhin dy hapa larg lagjes, ku banon, Edhe tani, kur unë flas, dëgjohen fort zhurmat shurdhuese të shpërthimeve, por nuk e dimë nga vijnë e kundër kujt shkojnë. Jemi në qendër të luftës, por jetojmë si të ishim zhytur në errësirë, pa e kuptuar mirë ç’po ndodh rreth nesh. Vetëm një pyetje e përsërisim pambarimisht: ‘Kur do të marrë fund ky tmerr?”. E s’na mbetet tjetër, veçse t’i lutemi Zotit të na ruajë e të na mbrojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.