2013-01-30 15:12:54

Kardinali Uilet: kështu, në shtatë vjet, Papa i dëgjoi të gjithë ipeshkvijtë e botës.


Benedikti XVI po takohet këto ditë me ipeshkvijtë italianë, në Romë, për vizitë ‘ad Limina’. Ky takim shënon një pikarritje të madhe për Papën i cili, gjatë shtatë vjetëve të papnisë, i priti për vizitë në Selinë Apostolike, të gjithë ipeshkvijtë e botës. Për këtë arritje flet, në mikrofonin tonë, prefekti i Kongregatës së Ipeshkvijve, kardinali Mark Uilet:

Përgjigje: - Vizita “ad Limina” ka zanafillë shumë të lashtë. Gjurmën e parë të një vizite të tillë e gjejmë në Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Galatëve. Me ardhjen e ipeshkvijve në Romë, bëhet i dukshëm universaliteti i Kishës, në unitetin e në larminë e saj. Të prek universaliteti, që buron nga pluralizmi i kulturave, ndërsa në thellësi, universaliteti i saj buron nga Krishti, i vetmi Shëlbues.

Pyetje: - Cilat janë frytet kryesore të këtyre takimeve?

Përgjigje: - Frytet janë kryesisht shpirtërore, sepse duke ardhur në Romë, çdo ipeshkëv përforcon besojmën e vet mbi Varrin e Shën Pjetrit. Përmes takimit të prelatëve me Papën, forcohet uniteti dhe kolegjialiteti ndërmjet ipeshkvijve dhe pasardhësit të Shën Pjetrit. E dhe Kisha fuqizon bashkimin e zellin misionar.

Pyetje: - Në botë ka shumë dioqeza, që jetojnë në situata të vështira, nganjëherë edhe dramatike: mjafton të kujtojmë vendet në gjendjelufte, si Siria, për shembull, ose emergjencash humanitare, si ato afrikane. Kisha i qëndron shumë pranë posaçërisht njerëzve, që kalojnë situata të tilla….

Përgjigje: - Kur ipeshkvi arrin në Romë, mbart me vete gëzimet, shpresat e vuajtjet e Kishës së vet. Në vëllazërinë e Kishës i ndan me të tjerët vuajtjet e shkaktuara nga situtata negative e, në këtë ndarje të përbashkët, çdo ipeshkëv e ndjen veten të mbështetur nga Papa e nga ipeshkvijtë, të cilët i ka gjithnjë pranë në misionin e tij, në mbrojtje të drejtësisë e të paqes.

Pyetje: - Përsa u përket dioqezave të Perëndimit, Papa shqetësohet posaçërisht për çështjen antropologjike: familjen, mbrojtjen e jetës, lirinë edukative e tani, edhe të drejtën e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes….

Përgjigje: - Në takimin personal me ipeshkvijtë, Papa ndjehet Atë i të gjithëve e u tregon udhën për të rigjetur themelet e njeriut, të familjes, të mbrojtjes së jetës e të kuptimit të vërtetë të lirisë.

Pyetje: - Vëmendje të dorës së parë Papa u kushton edhe Kishave, që pësojnë persekutime e dhunë e që nuk e gëzojnë lirinë fetare….

Përgjigje: - Nuk mund të jetë ndryshe, sepse liria për praktikimin e fesë hyri në botë pikërisht prej krishterimit. Sivjet përkujtojmë 1700 vjetorin e Ediktit të Kostandinit, me të cilin perandori u njohu të gjithëve lirinë e kultit. Është liri, që i përket njeriut, si i tillë dhe përbën bazën e të gjitha lirive të tjera. Kjo e drejtë duhet njohur e sanksionuar nga rendet civile të çdo kombi e u përket edhe bashkësive fetare, të cilave u duhen u krijuar mundësi për t’u organizuar e për të zhvilluar veprimtari kulturore, edukative dhe asistenciale, sipas besojmës së tyre. Liria fetare, apostull e pionier i së cilës qe i Lumi Gjon Pali II, duhet të njihet e të mbrohet nga të gjithë e për të gjithë, ashtu si na mëson edhe Ati i Shenjtë.

Pyetje: - Të gjithë ipeshkvijtë, duke komentuar bisedat me Papën, mrekullohen nga aftësia e Benediktit XVI për të dëgjuar….

Përgjigje: - Kjo aftësi për të dëgjuar mbetet një tipar karakteristik i personalitetit të Papës. E ky dëgjim thellohet me pyetje, që Ati i Shenjtë u drejton ipeshkvijve, lidhur me situata të posaçme e, sidomos, me vetë jetën e dioqezave të tyre, duke krijuar, kështu, atmosferën e një dialogu vëllazëror e të sinqertë, siç bën edhe me drejtuesit e Kishës. Kështu Papa i jep çdo ipeshkvi shembullin si duhet dëgjuar, për t’i prirë pastaj, Kishës, në rrugën e Zotit.

Pyetje: - Ç’mbresa i lënë Papës këto takime?

Përgjigje: - Marr guximin të përgjigjem me fjalët që tha Ati i Shenjtë, Benedikti XVI, në homelinë e Meshës për fillimin e papnisë së tij: “Kisha është e gjallë. Kisha është e re. Ajo mbart në vetvete ardhmërinë e botës, e prandaj edhe i tregon secilit nga ne udhën drejt së ardhmes”.Këtë realitet besoj se Ati i Shenjtë ka mundur ta vërejë gjatë shtatë vjetëve në takimet me ipeshkvijtë e botës, duke njohur nga afër gjallërinë e Kishës në të gjithë tokën, asaj Kishe që, duke jetuar ndërmjet vuajtjeve të botës, vijon të rinohet e të jetë gjithnjë më e bukur për virtyt të Shpirtit Shenjt, me forcën e Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.