2013-01-30 17:36:53

Audienca e përgjithshme. Papa: Hyji është Atë i të gjithëve e gjithëpushteti i tij është dhembshuri.


Gjithëpushtet i vërtetë do të thotë të kesh dhembshuri, ashtu si ka Hyji për çdo njeri; në këtë mënyrë e dëshmon Hyji dashurinë dhe atësinë e tij për njeriun. Benedikti XVI e pohoi këtë sot paradite, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, duke vijuar reflektimin kushtuar “Besojmës”.

Të shqiptosh fjalët “Besoj në Tënzonë, Atin e gjithëpushtetshëm”, do të thotë të kuptosh se edhe qenia më e vogël njerëzore, mund ta ndjejë veten bir i Atij, që është pambarimisht i madh: bir i dashur me një dashuri, të cilën nuk mund ta ketë asnjë atë në botë. E pikërisht për të shpjeguar hapësirën e fesë, përmbledhur në fjalët e para të Besojmës, atësinë dhe gjithëfuqinë e Zotit, Benedikti XVI e krahasoi Hyjin Atë me njeriun atë, i cili, vërejti Papa, shpesh herë e luan këtë rol në gjirin e familjeve të shkatërruara e në rrethana shqetësimesh mbytëse, që mund t’i pengojnë seriozisht marrëdhëniet e qeta e të frytshme ndërmjet etërve e bijve:
Komunikimi nganjëherë vështirësohet, besimi mungon e marrëdhëniet me figurën atërore, mund të bëhen problematike; e problematike bëhet edhe ta përfytyrosh Zotin si atë, duke mos pasur shembuj të përshtatshëm, që meritojnë të ndiqen. Për ata që kanë pasur etër tepër autoritarë e të papërkulshëm, ose indiferentë e të akullt, ose edhe më keq, nuk i kanë pasur fare, nuk është aspak e lehtë ta shikojnë Hyjin si atë e të lëshohen plotësisht në dorën e Tij, plot besim”.
Do të na ligështohej zemra, para një skene të tillë, në se Besëlidhja e Vjetër e, sidomos, Besëlidhja e Re, nuk do të ndërhynin, duke na treguar cilësitë e dashurisë së Hyjit për njerëzit:
“Hyji është Atë; nuk i braktis kurrë fëmijët; është atë plot dashuri. Të mbështet, të ndihmon, të mirëpret, të fal, të shpëton, me një besnikëri, që nuk mund të krahasohet me atë të njerëzve, për të të hapur, kështu, përmasën e përjetësisë. Dashuria e Hyjit atë nuk mungon kurrë, nuk lodhet kurrë nga ne, është dashuri që dhurohet deri në fund të fundit, deri në flijimin e të Birit. Ne mund t’i përballojmë të gjitha çastet e vështirësive e të rreziqeve, mund ta kalojmë provën e errësirës së krizës e të kohës së dhimbjes, me besimin e plotë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm, se është gjithnjë pranë nesh, për të na shpëtuar e për të na prirë drejt jetës së amshuar”.
Sigurinë e kësaj pranie e fitojmë përmes fesë, pohoi Benedikti XVI, e edhe përmes historisë e cila, dymijë vjet më parë, e pa Birin e Zotit duke vdekur mbi Kryq, e pastaj e pa përsëri të gjallë, shenjë e dukshme e një dashurie, që bota nuk e kishte parë kurrë. E megjithatë, pranoi Ati i Shenjtë, pikërisht nga kryqi mund të na lindin dyshimet mbi gjithëpushtetin e Hyjit:
“Ne do të dëshironim, sigurisht, një gjithëpushtet hyjnor sipas skemave tona mendore e dëshirave tona; një Hyj “të gjithëpushtetshëm” që i zgjidh të gjitha problemet, që ndërhyn për të shmangur vështirësitë, që fiton mbi forcat kundërshtare, ndryshon rrjedhën e ngjarjeve dhe prapson dhimbjen. Në të vërtetë, përballë së keqes e vuajtjes, për të gjithë, për ne, bëhet problematike, e vështirë, të besojmë në një Hyj Atë e të besojmë edhe se është i gjithëpushtetshëm. Atëherë disa kërkojnë strehë tek idhujt, duke iu nënshtruar tundimit për të gjetur përgjigje në një prani të gjithëpushtetshme ‘magjike’ e në premtimet e saj të rreme”.
Sot, komentoi Papa, disa teologë thonë se Hyji nuk mund të jetë i gjithëpushtetshëm, përndryshe në botë nuk do të kishte kaq shumë vuajtje, kaq shumë lot, kaq shumë gjak. Kur flitet për masakra çnjerëzore, shumëkush pyet: “Ku ishte Zoti?”, në vend që të pyesë: “Ku ishte njeriu”. E shumëkush nuk dëshiron ta kuptojë se gjithëpushteti i Hyjit është i ndryshëm nga ai, që mendon njeriu:
“Në të vërtetë Hyji, duke krijuar njerëz të lirë e duke u dhënë lirinë, hoqi dorë nga një pjesë e pushtetit të tij, duke lënë pushtetin e lirisë sonë. Gjithëfuqia e Tij nuk shprehet në dhunë, nuk shprehet në shkatërrimin e çdo force kundërshtare, siç do të dëshironim ne, por në dashuri, në mëshirë, në falje, në një sjellje, në dukje të ligshtë, durimtare, të butë, të dashur, duke dëshmuar, kështu, se kjo është mënyra e vërtetë për të qenë i pushtetshëm! Ky është pushteti i Hyjit, forca e Tij. E ky pushtet do të fitojë”.
Duke përsëritur në një tweet, menjëherë pas audiencës se Hyji Atë e do çdo njeri e duke shtuar “Askush nuk duhet ta ndjejë veten të harruar, sepse emri i të gjithëve është i shkruar në Zemrën e Zotit”, Papa e përfundoi katekizmin me përgjigjen e pyetjes: “Ç’do të thotë pushtet i mirëfilltë, i vërtetë e i përkryer hyjnor”:“Do të thotë t’i përgjigjesh së keqes jo me të keqe, por me të mirë; sharjeve me falje; urrejtjes vrasëse, me dashuri që jep jetë. Atëherë e keqja mundet me të vërtetë, sepse e larë nga dashuria e Hyjit; atëhere vdekja mundet përfundimisht, sepse e shndërruar në dhuratë jete”.








All the contents on this site are copyrighted ©.