2013-01-29 12:37:50

Vietnam: në Saigon, mijëra besimtarë luten për të drejtat e lirinë fetare.


Mijëra vietnamezë, katolikë e jo, po luten së bashku për paqen dhe lirinë fetare në vend, teatër, javët e fundit, i një sërë shkeljesh në praktikimin e kultit. Ndërmjet tyre, kujtojmë rrënimin e Karmelit të Hanoit dhe dënimin e blogger-ve dhe aktivistëve në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Sipas agjencisë AziaNjuz, dje, më se dymijë vetë morën pjesë në një Meshë kremtuar nga meshtarët redentoristë të Saigonit. Gjatë Meshës foli edhe nëna e një të riu, arrestuar vetëm pse dënoi në rrjet ekspansionizmin kinez. E nuk është i vetmi. Një i ri tjetër u rrëmbye nga vendi i punës e u mbyll në çmendinë, për të njëjtin qëndrim kundërkinez. Është një nga mjetet e njohura, që zgjedhin diktaturat për t’i zhdukur pa zhurmë kundërshtarët. Redentoristët e Qytetit Ho Shi Min janë të vendosur ta vijojnë impenjimin për paqe e drejtësi në Vietnam. Për këtë qëllim, çdo të dielë të fundit të muajit, do të kremtojnë një meshë të veçantë e do të marrin edhe nisma të tjera, që do të njoftohen gjatë këtyre ditëve. Meshtarët i kanë ftuar të gjithë besimtarët të luten për viktimat e padrejtësive shoqërore, duke bërë edhe thirrje për lirimin e aktivistëve, të burgosur pikërisht për qëndrimet e tyre antikineze. Blogger e aktivistë tashmë kanë në dorë mjetin e madh, që i jep fund heshtjes e fshehjes së përdhunimit të lirisë. Interneti nuk mund të rrethohet prej telash me gjemba. Diktaturat nuk mund ta pushtojnë edhe qiellin!“Jemi katolikë, pohon rregulltari redentorist, atë Vincent Pham Thanh, e nuk mund të heqim dorë nga lutja për lirinë e të gjithë njerëzve, ashtu si bëri vetë Jezusi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.