2013-01-29 12:37:24

Siri: Drama e Sirisë dhe ndihma e Kishës


Të krishterët e Sirisë vuajnë, ashtu si e gjithë popullata myslimane, alauite e sunite. Por ata kanë një problem më shumë: përhapjen e pandërprerë të fanatizmit islamik, që krijon rrezikun ta shndërrojë vendin në një Irak të ri. E pohon këtë agjencia AziaNjuz. Sipas agjencisë në fjalë, kur islamistët shtinë në dorë Homsin dhe Kusairin, i dëbuan të gjitha familjet e krishtera nga banesat e tyre. Që në muajt e parë të luftës, shumë familje të krishtera nisën të kërkojnë strehim në qytetet bregdetare të Sirisë, në atë që, një herë e një kohë, njihej si “rripi i krishterë”. E kur brigadat ekstremiste islamike, sidomos milicët e al-Nusrës, u përhapën në të gjithë vendin, zona të tëra u kthyen në vise të shkreta. Po ka edhe nga ata, që nuk dinë nga t’ia mbajnë e mbeten në vatrat e tyre, të frikësuar nga rreziku i riatdhesimit, që po pësojnë shumë të ikur në Liban. Kësaj situate i shtohet edhe embargoja, që i pengon ndihmat të arrijnë drejtpërdrejt tek njerëzit, nevojtarë për gjithçka. Shoqata për mbarëvajtjen e Lindjes së Mesme (Cnewa), që kujdeset për Libanin, Egjiptin, Sirinë dhe Irakun, po punon në bashkëpunim me Kishat vendase. Përveç anëtarëve të organizmave ndërkombëtare, urdhërat fetare dhe priftërinjtë e Patriarkanës greko-ortodokse janë të vetmit që mund të aktivizohen në territor. Priftërinjtë e rregulltarët përballojnë shpesh drejtpërdrejt dramën e vrasjeve masive e të përdhunimeve nga ana xhihadistëve të huaj, që kohët e fundit kanë nisur edhe rrëmbimet, kryesisht të të krishterëve, me qëllim fitimi, duke kërkuar shuma të mëdha për shpengimin. Aktualisht shoqata ndihmon 3 mijë familje, që janë nën mbrojtjen e Patriarkanës ortodokse e të Kishës katolike. Në Homs, fortesë e myslimanëve sunitë, një nga viset më të martirizuara nga lufta, rreth 800 familje katolike e ortodokse vijojnë të banojnë në qytet. I ndihmojnë jezuitët dhe rregulltaret e Bariut të Mirë, gjithnjë pranë tyre. Në kryeqytet kanë mbetur vetëm 600 familje të krishtera. Ndihmohen nga Rregulltaret e Bariut të Mirë dhe Patriarkana greko-katolike. Së fundi, në Hasake (Siria e veriut) Shoqëria e Shën Vinçenc de Paolit kujdeset për 1200 të shpërngulur. Tri mijë familjeve të mbetura në Siri u shtohen mijëra të shpërngulur, që kanë ikur nga vendi e janë strehuar ndër miq e dashamirë, me shpresë se shpejt do të merrnin rrugën e kthimit. Po shpresa për t’i parë përsëri viset e tyre bëhet gjithnjë më e zbehtë. Situata rëndohet për ditë e ata nuk kanë të drejtë as të marrin ndihma, si të strehuarit në kampe. Ç’do të ndodhë me këtë masë të dëshpëruar në muajt e ardhshëm? Kisha ka frikë se nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë gjithë këta njerëz, të cilët shtrijnë dorën në udhëkryqet e një lufte, që s’di të mbarojë. Kanë shumë nevojë për solidaritetin e vendeve perëndimore, të katolikëve sidomos, që duhet t’i ndihmojnë këta njerëz, duke parë në fytyrën e tyre, fytyrën e Krishtit të vuajtur.







All the contents on this site are copyrighted ©.