2013-01-29 12:41:24

Lirohen Gao e Timbuktu, ndihma ndërkombëtare për Malin


Franca dhe aleatët e saj afrikanë po fitojnë betejën në Mali. Pohimi është i presidentit francez, Fransua Holandë, pas kalimit të qyteteve Gao e Timbuktu nga duart e islamistëve integralistë në ato të francezëve. Tani, u takon forcave afrikane të çojnë para gjyqit terroristët, në veri të vendit, për t’i dhënë Malit qëndrueshmëri politike. Ndërkaq, fillojnë llogaritë e fondeve të nevojshme për të përmirësuar situatën, por numërohen edhe viktimat e dëmet.
Për të vazhduar deri në fund luftën kundër integralistëve, nevojiten 460 milion dollarë. Bashkimi Afrikan vë në dispozicion 50 milion, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar, diçka më shumë se 18. Luftimet në Gao, qyteti më i madh në verilindje të Malit, kanë shkaktuar vdekjen e 25 islamistëve, gjatë orëve të fundit, ndërsa në Timbuktu, qytet i njohur kulturor, xhihadistët kanë shkatërruar ç’u ka dalë përpara. Kur e panë se po u vinte fundi, dogjën një bibliotekë, ku ruheshin dorëshkrime të rralla, me karakter fetar e shkencor, të cilat u zhdukën një herë e përgjithmonë. Patën bërë copë-copë edhe shumë shtatore të Alfarukut, engjëllit mbrojtës të qytetit e, pastaj, shumë mauzoleume ndërtuar me rërë e dru, që zbukuronin Timbuktunë. Ndoshta edhe për këtë, hyrja e ushtarëve francezë dhe malianë u prit me brohoritje e gëzim të madh nga popullsia.








All the contents on this site are copyrighted ©.