2013-01-29 15:57:24

Impenjimet e ardhshme të Papës: Koncistori për Shenjtorët e rinj, Kreshmët dhe kremtimet e Pashkëve.


Zyra e kremtimeve papnore dha sot njoftimin për kremtimet që do të kryesojë Benedikti XVI gjatë dy muajve të ardhshëm. Posaçërisht, në kalendarin papnor spikasin kremtimet e Javës së Madhe, që do të fillojë me 24 mars e do të arrijë kulmin me Triditshin e Pashkëve, me Natën e Solemnitetit dhe Meshën e ditës, që, sipas traditës, do të përfundojë me Bekimin Urbi et Orbi, drejtuar Romës dhe Botës.
Guri dhe Shpirti Shenjt, karizmat fetare të bashkuara me Papën: ky është imazhi që krijon vit për vit simbolikisht, Mesha e kryesuar dhe e bashkëkremtuar nga Papa me anëtarët e Instituteve të Jetës Rregulltare e të Shoqërive të Jetës Apostolike. Edhe sivjet do të kremtohet më 2 shkurt, në orën 17.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, që përkon edhe me Ditën e 17-të botërore të jetës rregulltare.
Pas këtij impenjmi të parë të Benediktit XVI, në muajin shkurt vjen Koncistori për disa Çështje Shenjtërimi.
Dy ditë më pas, të Mërkurën e Përhime, Papa do të kryesojë një traditë tjetër të lashtë, e cila njihet me emrin Statios. Kremtimi do të fillojë në orën 16.30, në bazilikën romake të Shën Anselmit, me procesionin pendestar deri tek Bazilika e Shën Sabinës, e do të përfundojë me bekimin e hirit dhe përhirjen.
Kreshmët do të nisin me Javën e ushtrimeve shpirtërore, në praninë e Papës e të Kuries romake, programuar për të dielën 17 e të shtunën 23 shkurt. Do të mbahen, si zakonisht, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan. Sivjet do të predikohen nga kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshilli Papnor për Kulturën.
Me të dielën, 24 mars, hapet Java e Madhe e vitit 2013. Në orën 9.30 Benedikti XVI do të kryesojë Meshën, së cilës i paraprin bekimi i palmave dhe procesioni.
Më pas, ritet e Triditshit të Pashkëve, duke nisur nga Mesha e Bagmit, të cilën Benedikti XVI do ta kryesojë në orën 9.30 të së Enjtes së Madhe në Bazilikën e Vatikanit, për të vijuar, pasdite, në orën 17.30, në Bazilikën e Lateranit, me Meshën in Coena Domini, kremtim i Darkës së mbrame të Jezu Krishtit.
Në orën 17.00 të së Premtes së Madhe, Papa do të jetë përsëri në Shën Pjetër për kremtimin e Mundimeve të Krishtit. Më pas do të shkojë në Koloseum, ku do t’i prijë ritit të Udhës së Kryqit, që do të fillojë në orën 21.15.
Të Shtunën e Madhe, Natën e të gjitha netëve pa gjumë, natë meditimi e lutjeje, Papa do ta kremtojë në orën 20.30, në Bazilikën e Vatikanit.
Arrijmë, kështu, në kulmin e Solemnitetit të Ngjalljes së Zotit, me kremtimin e Ditës së Pashkëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 10.15. Kremtimi, sipas traditës, do të përfundojë me Bekimin Urbi et Orbi, drejtuar Romës e Botës, nga Lozha qëndrore e Bazilikës së Popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.