2013-01-28 14:59:40

Papa në Engjëllin e Tënzot: kurrë më tmerr i Holokaustit; t’i jepet fund çdo forme të urrejtjes e të racizmit.


Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua edhe tek kremtimi i Ditës së Kujtesës, kushtuar viktimave të Holokaustit, sulmit shfarosës të nazistëve kundër hebrenjve. Kujtesa e kësaj tragjedie katastrofike, tha Papa, sot tingëllon si qortim për të kaluarën, në shërbim të së ardhmes, për të mos u përsëritur kurrë më tmerret, që pësoi njerëzimi jo shumë vjet më parë. Kujtoi, më pas, edhe Ditën botërore të të sëmurëve nga gërbula si dhe Ditën e paqes për Tokën e Shenjtë, duke u shprehur afërsinë e tij të gërbulurve dhe të gjithë njerëzve, që e duan paqen e punojnë për mbrojtjen e saj. Në çastin kur po u drejtonte përshëndetjet shtegtarëve, së bashku me dy fëmijë të Veprimit Katolik, Benedikti XVI lëshoi dy pëllumba, me rastin e “Karvanit të Paqes”, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Kurrë më Olokaust! Kurrë më shfarosje e njeriut nga njeriu! Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, zëri i Papës u ngrit fuqishëm, për t’iu kundërvënë të gjitha formave të urrejtjes e të racizmit. Benedikti XVI kujtoi posaçërisht e me fjalë prekëse, “Ditën e Kujtesës”, kushtuar viktimave të shumta të nazizmit:
“Kujtimi i kësaj tragjedie të përbindshme, që goditi mizorisht në mënyrë të veçantë popullin hebraik, duhet të jetë qortim i përhershëm për të gjithë, që të mos përsëriten kurrë më tmerret e së kaluarës, t’i jepet fund çdo forme të urrejtjes e të racizmit e të punohet për respektin dhe dinjitetin e njeriut”.
Para fjalëve për Holokaustin, Papa u ndalua tek Ungjilli i së dielës. Jezusi, pohoi, është e sotmja e shpëtimit të historisë, sepse e përmbush plotësisht premtimin e shëlbimit. Kujtoi, më pas, sesi duhet ta jetojnë të krishterët të dielën. Temë, kjo, së cilës i kushtoi edhe një tweet, pak pas lutjes së Engjëllit të Tënzot. E diela, tha Papa, është ditë pushimi për familjen, por, mbi të gjitha, vijoi, është ditë, që i duhet kushtuar Zotit, duke marrë pjesë në Meshën Shenjte. Nuk duhet harruar kurrë: mbi të gjitha, e Diela është ditë kushtuar Atij:
Në kohën tonë të hallakatur e të çkujdesur, ky Ungjill na fton t’i bëjmë vetes pyetjen mbi aftësinë tonë për të dëgjuar. Para se të flasim për Zotin e me Zotin, duhet ta dëgjojmë, e liturgjia e Kishës është shkolla e këtij dëgjimi të Zotit, që na flet.”
Për të krishterin, shtoi Papa, çdo çast mund të bëhet e sotme e përshtatshme për pendim e kthesë në rrugën e Zotit. E pikërisht këtë kuptim kristian ka shprehja latine carpe diem: kape, shfrytëzoje, të sotmen! Mos e lërë të të ikë, sepse sot Zoti po të thërret për të të dhuruar shëlbimin.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi Ditën e 60-të botërore të të sëmurëve nga gërbula:
“U shpreh afërsinë time njerëzve, të cilët vuajnë nga kjo sëmundje, duke u dhënë zemër shkencëtarëve, që e studiojnë; punonjësve, që e mjekojnë dhe vullnetarëve, që e lehtësojnë, e posaçërisht, atyre, që bëjnë pjesë në organizatat katolike dhe në Shoqatën Miqtë e Raul Folerosë”.
Iu lut, pastaj, për të gjithë, Shën Damianit të Vëstre e Shën Marianës Kope, që dhanë jetën për të gërbulurit. Papa falënderoi edhe të gjithë ata që, në të katër anët e botës, organizuan një Ditë të posaçme për paqen në Tokën e Shenjtë. E, duke folur në gjuhën polake, u bashkua me Poloninë, në lutje për Kardinalin Jozef Glemp, që vdiq pak ditë më parë. Në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI pëshëndeti posaçërisht edhe fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik romak, të impenjuar në një nismë në shërbim të paqes:
“Të dashur fëmijë, Karvani juaj i Paqes është një dëshmi e bukur! Uroj të jetë edhe shenjë e impenjimit tuaj të përditshëm për të siguruar paqen, kudo që jetoni”.
Një prej fëmijëve i drejtoi Papës këtë mesazh:
“I dashur Papë… po provojmë në se jemi vërtet të aftë për paqen a, më mirë të themi, për të qenë bashkëpunëtorë të paqes, që vjen nga Hyji… e, mos harro, i dashur Papë: Veprimi Katolik Rinor i Romës të do gjithnjë fort e fort”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa, i ndihmuar nga fëmijët, lëshoi dy pëllumba të bardhë, simbol i Shpirtit të Zotit, dhuratë e paqes për të gjithë ata, që ia hapin zemrat me dashuri.








All the contents on this site are copyrighted ©.