2013-01-28 13:31:36

Papa, Gjykatës Rota Romana: mungesa e fesë mund të ndikojë në vlerën e martesës


Mungesa e fesë mund të cënojë të mirat e martesës: lindjen e fëmijëve, besnikërinë bashkëshortore dhe pazgjidhshmërinë. Kështu u foli Papa Benedikti XVI, anëtarëve të Gjykatës Rota Romana, të cilët i priti të shtunën në audiencë, me rastin e përurimit të Vitit të ri gjyqësor. Kriza aktuale e fesë, theksoi Ati i Shenjtë, sjell edhe krizën e bashkimit bashkëshortor. Refuzimi i Zotit çon drejt çekuilibrimit të thellë të të gjitha marrëdhënieve njerëzore. Sipas mendësisë mbizotëruese, nënvizoi Papa, vetëm nëse mbetet ‘autonom’, njeriu mund të realizojë vetveten, prandaj ai hyn në marrëdhënie, që mund të prishen lehtë, në çdo çast.
Problemi, që shtroi Benedikti XVI, ka të bëjë me ato çifte, që martohen në Kishë, pa pasur fe të vërtetë në Hyjin, por vetëm se kështu duan prindërit, apo sepse ceremonia është më e bukur, apo thjesht, për hir të traditës e të zakonit. Por edhe me ato çifte, që e humbin fenë rrugës, të zhytur në një shoqëri hedoniste, që i bën për vete. Natyrisht, në këto raste, theksoi Papa, duke cituar një dokument të vitit 1977 të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, duhet kuptuar mirë nëse qëllimi i dy bashkëshortëve të ardhshëm është vërtet Sakramenti. Mungesa e fesë, nënvizoi Ati i Shenjtë, bën që ndonjëra nga tre të mirat e martesës, që vinte në dukje Shën Augustini – lindja e fëmijëve, besnikëria bashkëshortore dhe pazgjidhshmëria – të cënohet deri në atë pikë, sa ta bëjë të pavlefshme lidhjen martesore. Papa nuk mungoi të paralajmërojë se nuk duhet abuzuar:
“Me këto mendime, nuk kam sigurisht ndërmend të sugjeroj ndonjë lidhje të thjeshtuar automatike ndërmjet mungesës së fesë dhe pavlefshmërisë së bashkimit martesor, por të vë në dukje se kjo mungesë, pavarësisht se jo gjithmonë, mund të cënojë të mirat e martesës, meqenëse pakti bashkëshortor i referohet rendit natyror, dëshiruar nga Zoti”.
Benedikti XVI dha shembullin e sa e sa shenjtorëve, që duke flijuar nganjëherë vetveten për të ruajtur pazgjidhshmërinë e martesës, çuan në shenjtërimin e bashkëshortit dhe të fëmijëve, me një dashuri të përforcuar nga besimi i patundur në Hyjin:
“Pikërisht këto përvoja, të karakterizuara nga feja, na bëjnë të kuptojmë edhe sot, sa e çmuar është sakrifica e bashkëshortit të braktisur, ose të atij që pëson, nëse arrin të mos lidhet në një martesë të re, duke pranuar vlerën e pazgjidhshmërisë së lidhjes bashkëshortore… Në këtë rast, shembulli i besnikërisë dhe i koherencës së tij të krishterë merr vlerën e dëshmisë së veçantë para botës e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.