2013-01-28 17:19:51

Lutja e Papës për 232 të rinjtë që gjetën vdekjen në diskotekë, në Brazil


Papa Benedikti XVI shpreh ngushëllimet e tij dhe lutet për 232 viktimat e diskotekës në Brazil. Imazhet e diskotekës në qytetin Santa Maria, bërë shkrumb e hi nga zjarri, janë tashmë të njohura në të gjithë botën. Një fishekzjarr, i përdorur nga njëri prej grupeve, që po këndonin në skenë, u dha fund jetës së mëse 200 të rinjve, duke i lënë të shtangur skuadrat e ndërhyrjes së shpejtë, që nga zjarrfikësit tek infermierët e ambulancave, për shkak të skenave të llahtarshme. Bilanci i rëndë, ku përfshihen edhe rreth 80 të plagosur në terapi intensive, ka shkaktuar debate të ashpra për mbushjen e diskotekës me 2000 vetë, shumë më tepër se kapaciteti.
Benedikti XVI, “i lebetitur” nga ngjarja, siç shkruan në telegramin me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, ngushëllon familjarët, duke e lutur Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen, t’u japë guxim e shpresë. Papa u uron të plagosurve shërim të shpejtë dhe ua beson të gjithë, mëshirës hyjnore. Edhe ipeshkvijtë e vendit flasin për një tragjedi, që nuk duhet t’i bëjë njerëzit të humbin shpresën. “Dhimbje e jashtëzakonshme për shoqërinë - komenton kryeipeshkvi i qytetit Santa Maria - por Jezu Krishti mbetet gjithnjë shpresa jonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.