2013-01-28 13:32:13

Koncili II i Vatikanit, sipas ditareve të kardinalit Tuçi


“Përgatitja e Koncilit II të Vatikanit, në ditaret e kardinalit Tuçi”: ky ishte argumenti i një konference, që u zhvillua këto ditë në Romë, në selinë e revistës së njohur të jezuitëve “Qytetërimi Katolik”. Dokumentet janë botuar kohët e fundit. Për vlerën historike të tyre diskutuan atë Françesko Oketa, jezuit, Alberto Meloni, historian dhe Xhuliano Amato, ish-kryeministër i Italisë.
Kujtojmë se, në kohën e Koncilit II të Vatikanit, kardinali Roberto Tuçi ishte drejtor i revistës “Qytetërimi Katolik”, së cilës iu kërkua nga Papa Gjoni XXIII të ndiqte hap pas hapi punimet, ashtu siç kishte bërë edhe me Koncilin I të Vatikanit. Më vonë, jezuiti do të bëhej drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit dhe organizator i udhëtimeve apostolike të Papës. Qe pikërisht Ati i Shenjtë, Karol Vojtila, ai që e krijoi kardinal në vitin 2001. Kujtesë e gjallë e historisë së Kishës, kardinali Tuçi pasqyron në ditare si filloi Koncili, si u përgatit, shpjegon gjithçka, flet me fjalët e Papës Gjoni XXIII, vë në dukje aspekte jo zyrtare, që nuk gjenden askund tjetër: çfarë i thoshte Papa, si e priste, si e përcillte, komentet që bënte, anekdotat, që tregonte…
Nga kjo pikpamje, ditaret janë interesante edhe për të kuptuar më mirë personalitetin e Gjonit XXIII, përveçse për t’u njohur me zanafillën e ideve e të mendimeve, që çuan në vendimet e reja të Kishës në fushën e teologjisë e të baritorisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.