2013-01-25 15:26:24

Papa ia kalon kompetencën mbi seminaret Kongregatës për Klerin, mbi katekizmin, Këshillit
për Ungjillëzim të Ri.


U botuan sot dy Letra Apostolike të Benediktit XVI, në formë Motu Proprio. Përmes tyre kompetenca mbi Seminaret transferohet, duke kaluar nga Kongregata për Edukimin Katolik, në Kongregatën për Klerin; ndërsa kompetenca për Katekizmin, nga Kongregata për Klerin i kalon Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Të dy dokumentet u shpallën nga Papa më 27 tetorin e kaluar, në përfundim të punimeve të Sinodit për ungjillëzimin e ri.

Me Motu Proprio-n “Ministrorum institutio”, Benedikti XVI ia beson Kongregatës për Klerin organizimin dhe drejtimin e të gjitha veprimtarive, që kanë të bëjnë me formimin, jetën e misionin e meshtarëve e të diakonëve: që nga puna baritore për nxitjen e thirrjeve meshtarake dhe zgjedhja e kandidatëve për Urdhërat e shenjta, duke përfshirë këtu edhe formimin njerëzor, shpirtëror, doktrinor e baritor ndër seminare si dhe ndër qendrat për diakonët e përhershën, deri në formimin e tyre të përhershëm, përfshirë kushtet e jetës dhe mënyrat e ushtrimit të detyrës si dhe asistencën shoqërore. Me këtë Motu Proprio, Kongregata për Edukimin Katolik (të seminareve e Instituteve të Studimit) e ndërron emrin në Kongregata për Edukimin Katolik (të Instituteve të studimit) dhe është kompetente për sistemin e studimeve akademike të filozofisë e të teologjisë, me miratimin e Kongregatës për Klerin.

Me Motu Proprio “Fides per doctrinam” Papa i transferon kompetencat për katekizmin nga Kongregata për Klerin, tek Këshilli për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Kompetenca për katekizmin ka të bëjë me: kujdesin dhe promovimin e formimit fetar të besimtarëve, të drejtën për të shpallur normat e nevojshme, që mësimi i katekizmit të realizohet në mënyrë të përshtatshme sipas traditës së përhershme të Kishës; detyrën për të mbikqyrur që formimi katekistik të realizohet me korrektesë, sipas udhëzimeve të dhëna nga Magjisteri; të drejtën të japë me shkrim miratimin e Selisë Apostolike për katekizmat dhe shkrimet e tjera, që kanë të bëjnë me misionin katekistik, me miratimin edhe të Kongregatës për Doktrinën e Fesë e, së fundi, detyrën t’i asistojë zyrat katekistike të Konferencave ipeshkvnore, duke e ndjekur e duke e koordinuar veprimtarinë e tyre.
Të dy dokumentet u shpallën nga Papa më 27 tetorin e kaluar, në përfundim të punimeve të Sinodit për ungjillëzimin e ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.