2013-01-25 18:02:07

Lutjet mbrëmësore kryesuar nga Papa në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës: “Ekumenizëm, që bota të besojë”.


Sot pasdite, në orën 17.30, në përfundim të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, Benedikti XVI kryesoi, në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, kremtimin e Lutjeve të dyta mbrëmësore të solemnitetit të kthimit të Apostullit të Popujve. Në lutje morën pjesë shumë përfaqësues të Kishave dhe të bashkësive të tjera kishatre. Posaçërisht kujtojmë se për Patriarkanën Ekumenike të Kostandinopojës, ishte i pranishëm kryeipeshkvi ortodoks i Italisë dhe i Maltës, Ekzarku për Evropën Jugore, Genadios Zervos, ndërsa për bashkimin anglikan, kanoniku i nderuar David Riçardson, përfaqësues i kryeipeshkvit të Kanterburit pranë Selisë së Shenjtë dhe drejtor i Qendrës anglikane të Romës. I pranishëm edhe kardinali Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.
Kujtojmë se tema e Javës së sivjetme “Ç’kërkon Zoti nga ne”, u shkëput nga libri i Mikesë profet. Na kujton se Zoti kërkon nga ne të praktikojmë drejtësinë, të duam, të mëshirojmë, të ecim përvujtërisht me Hyjin.
Qysh në agim të papnisë së tij, Benedikti XVI e vuri dialogun ekumenik ndërmjet detyrave kryesore e, në shumë raste, fjalët e Papës e shprehën me forcë të madhe dëshirën që të gjithë besimtarët në Krishtin ta rigjejnë bashkimin e orës së parë të Kishës. E po këtë detyrë e theksoi me forcë edhe sot, në homelinë e kremtimit, duke kujtuar, në fillim, se ky kremtim inkuadrohet në Vitin e fesë, që nisi më 11 tetorin e kaluar, në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit.
Bashkimi në të njëjtën fe, është bazë për ekumenizmin, kujtoi Papa e vijoi: Uniteti na u dhurua nga Zoti njëherësh me fenë. E shpreh qartë Shën Pali: “S’ka por një trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm, - sikurse jeni të grishur edhe në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një Pagëzim; një Hyj të vetëm, Atë i të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë” (Ef 4,4-6). Pa fe, që është në radhë të parë dhuratë e Hyjit, por edhe përgjigje e njeriut, e gjithë lëvizja ekumenike do të kufizohej në një formë ‘kontrate’, që pranohet për shkak të interesit të përbashkët. Duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit, Papa nënvizoi se çështjet doktrinore, që i ndajnë ende të krishterët, nuk duhen errësuar, e as minimizuar. Ato duhen përballuar me guxim, me frymë vëllazërie e respekti reciprok. Dialogu, kur pasqyron përparësinë e fesë, krijon kushtet për t’i hapur rrugën veprimit të Hyjit, me besim të patundur se të vetëm nuk mund ta ndërtojmë kurrë unitetin. Është Shpirti Shenjt, ai që na prin drejt bashkimit të plotë, që na bën ta mirëpresim pasurinë shpirtërore, të pranishme në Kishat dhe bashkësitë e ndryshme kishtare, kujtoi Papa.
Në shoqërinë aktuale duket se mesazhi i krishterë ndikon gjithnjë më pak mbi jetën personale e komunitare. Prej këndej, bashkimi i plotë e i dukshëm i të krishterëve duhet kuptuar si karakteristikë themelore, në shërbim të një dëshmie edhe më të qartë. Ndërsa jemi për udhë drejt unitetit të plotë, është e nevojshme të vijojmë bashkëpunimin konkret ndërmjet dishepujve të Krishtit, për kauzën e transmetimit të fesë në botën bashkëkohore. Sot ndjehet fort nevoja e bashkëpunimit, e dialogut e mirëkuptimit reciprok, në një perspektivë jo moralistike, por pikërisht në emër të vërtetësisë së krishterë, për një prani më të ndjerë në realitetin e kohës sonë, theksoi me forcë Benedikti XVI. Kërkimi, në vërtetësi e në dashuri, shtoi më pas Ati i Shenjtë, nuk duhet ta humbasë kurrë sysh perceptimin se uniteti i të krishterëve është vepër dhe dhuratë e Shpirtit Shenjt e se i tejkalon përpjekjet tona. E as nuk duhet të na bëjë të harrojmë për asnjë çast se lutja është zemra e impenjimit ekumenik. Gjithsesi, vijoi të kujtonte Papa në homelinë e kremtimit të mbylljes së Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, ekumenizmi nuk do të japë fryte të qëndrueshme, në se nuk do të shoqërohet me gjeste konkrete kthese, që tundin ndërgjegjet e ndihmojnë për shërimin e kujtimeve e të marrëdhënieve. E ky është edhe elementi themelor i impenjimit tonë ekumenik. Përtëritja e jetës shpirtërore të zemrës e të mendjes sonë, që pasqyrohet në jetën e përditshme, është vendimtare në çdo dialog e udhë pajtimi, duke e bërë ekumenizmin impenjim reciprok mirëkuptimi, respekti, dashurie, që bota të besojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.