2013-01-25 18:00:52

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Tema kryesore e udhërrëfyese e liturgjisë Hyjnore e Meshës së kësaj së diele është Fjala e Zotit e cila, kur shpallet dhe kumtohet çliron e ndërton jetën e bashkësisë fetare. Kështu në kremtimin liturgjik të kësaj së diele të 3-të gjatë vitit kishtar, ne marrim pjesë në misterin e Fjalës së Zotit të shpallur e cila plotësohet dhe realizohet duke çliruar dhe ndërtuar indin e bashkësisë së besimtarëve: leximi i Fjalës së Zotit nxit dëgjimin, dëgjimi lindë kuptimin, kuptimi shpie në veprim, veprimi i jep trajtë (formon) bashkësisë apo komunitetit njerëzor të beismtarëve.
Duke ndjekur Jezusin që ecën rrugëve të botës për ti kumtuar të gjithë njerëzve shpëtimin shpirtëror, siç na tregon pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, e gjejmë në Nazaret në mesin e familjarëve e të bashkëqytetarëve të vet. Gjendemi në ditën javore kushtuar Zotit, dhe Jezusi hynë në sinagogë për të dëgjuar Fjalën e Hyjit, për të medituar, për të kënduar psalme.
Aty, në atmosferë të lutjes, i kumton të gjithëve se koha e pritjes është plotësuar, se momenti i profetizuar, pra i paralajmëruar nga Izaia profet, kur të varfrit, të burgosurit, të shtypurit do të dëgjonin Ungjillin, do të thotë lajmin e mirë të çlirimit, tashmë ka ardhur. E Ungjilli, lajmi i mirë i çlirimit dhe i shpëtimit pra është Ai, Jezu Krishti. Edhe sot e përherë deri në mbarimin e shekujve. Krishterimi është dëftimi i Zotit që i komunikon njeriut planin e vet të shpëtimit: Krishti përfaqëson kulmin e këtij dëftimi.
Të lutemi që çdo të diele, që është Pashka javore e Zotërisë Jezus, të dimë ta pranojmë Fjalën e Zotit me zemër të hapur e të sinqertë. Ti kërkojmë Krishtit të na mësojë ta duam Ligjin e Tij; të na ndihmojë ta kuptojmë mirë; të na ndihmojë ta zbatojmë e ti përmbahemi në jetën e përditshme, sepse është Ligji i Dashurisë së Tij për ne.
Një misionar i kërkon një herë në Afrikë një vogëlushi arabë:
- Çka ke mësuar sot në shkollë për Biblën?
- Vogëlushi u shndritë në fytyrë dhe tregoi fjalinë e Librit të Shenjtë që e kishte mësuar. Atëherë misionari iu drejtua vogëlushit përsëri duke i thënë:
- Shkruaji në rërë fjalët që i ke mësuar, në mënyrë që edhe unë të mund ti kuptojë më mirë.
-Ai e shikoi gati i terrorizuar edhe ia ktheu: - pohon misionari duke treguar për vogëlushin-
- Jo! Pse Fjala e Zotit shkruhen gjithmonë në mendje e në zemër, e nuk shkruhet për tokë! ( A. Gasparino, La messa cena del Signore).
Liturgjia e Fjalës Hyjnore
Leximi i parë Neh 8, 2-4.5-6.8-10
Për herë të parë pas mërgimit, Izraeli, sërish i bashkuar si një popull në festë, kremton liturgjinë e fjalës dhe merr pjesë në një drekë të përbashkët. Populli thirret për të kremtuar shpresën e së ardhmes, gëzimin që e pranishmja akoma nuk e ofron përderisa akoma janë të hapura plagët e mërgimit.

Lexim prej Librit të Nehemisë
Në ato ditë, prifti Ezra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë. Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lexonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit. Shkrimtari Ezra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtën e tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtën ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami.
Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart u përgjigj: “Amen, amen!” Dhe librin e Ligjit të Hyjit e lexonin pjesë-pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej. Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe shkrimtari Ezra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit. Atëherë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepnu pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.”
Fjala e Zotit.
Psalmi 19
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë
------------
I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
------------
Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
------------
E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.
------------
Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje,
o Zot, ndihmësi im e Shëlbuesi im!
------------
Leximi i dytë 1 Kor 12, 12-31
Pali pohon besimin e tij në Krishtin e ringjallur “me trup”. Që këtu vjen imazhi i kishës si trup. Në Kishë secili ushtron një detyrë të veçantë si çdo qelizë në organizmin njerëzor.
Askush nuk është i padenjë, askush nuk është i kotë; secili prej nesh është i nevojshëm në jetën dhe funksionimin e trupit. Si rrjedhim, nuk ka role më të rëndësishme, por vetëm detyra të ndryshme.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh. Po bëri e tha këmba: “Pasi nuk jam dorë, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po bëri e tha veshi: “Pasi nuk jam sy, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po të ishte krejt trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte krejt vesh, ku do të ishte shqisja e të nuhaturit? Porse Hyji kështu i ka caktuar gjymtyrët, secilin në trup sikurse ka dashur. Po të ishin të gjitha një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
Kështu pra, shumë gjymtyrë, por vetëm një trup. Syri nuk mund t’i thotë dorës: “S’kam nevojë për ty”, ose kryet këmbëve: “S’kam nevojë për ju!” Madje, ato gjymtyrë të trupit që duket se janë më të ligshta, janë më të nevojshme, dhe ato që ne i mbajmë për më pak bujare, pikërisht atyre u bëjmë më shumë nderim. Dhe, sa më të marrshme janë, aq më njerëzishëm sillemi me to, e të njerëzishmet nuk e kanë këtë nevojë. Por Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët barazi të kujdesen njëra për tjetrën.
Dhe, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
Tashti, ju jeni trupi i Krishtit, dhe secili prej jush gjymtyrë e tija. Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndyshme. A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë? Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet!
Fjala e Zotit.
Ungjilli Lk 1, 1-4; 4, 14-21
Luka paraqet kriteret me të cilat ka shkruar Ungjillin e tij. Pra, tregon në ç’mënyrë Jezusi prezantohet për të parë në sinagogën e Nazaretit. Krishti hyn në sinagogë për të lexuar pjesën e asaj dite, dhe ai lexim i lejon të prezantohet si Mesia i shumëpritur nga të gjithë të mjerët.
Edhe sot Jezusi është Mesia që të varfërit, të shtypurit dhe të shfrytëzuarit dëshirojnë. Çdo i krishterë duhet të jetë shërbëtor i dashurisë dhe i çlirimit të Krishtit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndohën në mesin tonë, ashtu siç na i lanë ata që i panë me sy të vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës, e mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.
Atëherë Jezusi, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, u kthye në Galile, dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. Mësonte nëpër sinagogat e tyre, i nderuar prej të gjithëve.
Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur, dhe, sipas dokes së vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit.’ E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të.
Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.” Fjala e Zotit.
Këtu mund ta dëgjoni programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele të tretë gjatë vitit Kishtar...........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.