2013-01-24 12:30:17

Pasdite tematike kushtuar poetit kosovar Ali Podrimja


Në Bibliotekën Kombëtare, në Prishtinë, u organizua këto ditë një pasdite tematike, kushtuar poetit të ndjerë Ali Podrimja. Smajl Smaka paraqiti librin “Pavdekësia e poetit”, në të cilin ka mbledhur kujtime për Ali Podrimjen nga 70 autorë shqiptarë e të huaj. Për Kishën Katolike, ishte i pranishëm vikari i përgjithshëm i Kishës katolike kosovare, don Lush Gjergji.
Miq e dashamirë, ditë më pare, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, janë mbledhur për ta kujtuar njërin ndër poetët më të mëdhenj shqiptar, Ali Podrimjen. Në fakt është promovuar libri ‘Padekësia e poetit’ ku Smajl Smaka ka mbledhur për poetin Podrimja kujtime nga 70 autorë shqiptarë e të huaj, si Aleksandër Zot, Hans Joakim Lanksh, Jevrem Bërkoviq, Ismajl Kadare, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Gjelosh Gjokaj etj.
Në promovimin e këtij libri, evokuan kujtime, Agim Gjakova, Ramiz Kelmendi, Ilire Zajmi, dom Lush Gjergji, Rexhep Ferri etj. Ndërsa poezinë e famshme ‘Unë jam biri ytë Kosovë, e solli në baladë, Besjana Mehmeti.
Dom Lush Gjergji, tha se, krijimtaria poetike e Podrimjes, shpirti i tij i madh, krijues dhe frymëzues; mendja e tij e mprehtë, e hollë dhe largpamëse; vizioni i tij kritik dhe artistik me tipare profetike për liri, vlerat e virtytet shqiptare e gjithënjerëzore, e bënë atë Njeri e Poet të shquar e të dalluar. Ishte gjeni i poezisë shqipe, që personifikoi vuajtjen, dhembjen e pikëllimin e popullit tonë përmes veprës ‘Lumi’, vlerësoi dom Lushi duke shtuar se ndjehet i lumtur dhe mirënjohës që ka bashkëpunuar për afro 40 vjet me poetin Podrimja.
Ndër shumë kujtime, don Lush Gjergji përmendi momentin e promovimit të Biblës në Prishtinë, para shumë vitesh, ku Ali Podrimja – dom Lush Gjergjit dhe përkthyesit të Biblës së plotë në gjuhën shqipe, dom Simon Filipajt, u kishte thënë: “Keni bërë mirë që e keni përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe Biblën, sepse aty shumë krijues gjatë shekujve kanë gjetur frymëzim për jetë dhe krijimtari... Tash do ta lexoj dhe përjetoj edhe unë në gjuhën shqipe...”.Më pas poeti u ka thënë edhe këtë: “Nëse kam krijuar diçka të pavdekshme dhe të përjetshme, frymëzimin tim shpesh e kam pasur nga Bibla dhe në Popullin Shqiptar. E, nëse shprehem figurativisht “Dorën e majtë e kisha në Bibël, e më të djathtën shkruaja”, evokoi dom. Lush Gjergji, fjalët e poetit dhe në fund tha:
Ali Podrimja tani, i liruar nga koha dhe hapësira, “kronisti” artistik i ngjarjeve në 50 vitet e fundit, zëri poetik i Kosovës martire, jeton dhe shijon amshimin, pasi sadopak e përjetoi Kosovën e lirë dhe të pavarur. Për krijimtarinë tënde Ali i dashur, e cila gjithnjë na freskon, frymëzon dhe mallëngjen, Zoti të shpërbleftë, e ne, miqtë dhe dashamirët tuaj, mos të harrofshim! Pusho në paqe! Po të dëgjojmë informacionin e Rabije Ibrajt nga Prishtina…......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.