2013-01-24 15:22:06

Papa: të çohet ‘drita e ëmbël e fesë’ në rrjetet shoqërore


Të gjithë besimtarët duhet të impenjohen në rrjetet shoqërore, në internet: kjo është këshilla e Papës Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e 47-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, e cila sivjet ka për temë “Rrjetet shoqërore: porta të së vërtetës e të fesë; hapësira të reja ungjillëzimi”. Në dokumentin e publikuar sot, Ati i Shenjtë nënvizon se rrjetet shoqërore kanë nevojë për Ungjillin e Krishtit. Ato nuk janë botë paralele e mund të bëhen mjet i fuqishëm ungjillëzimi, por edhe faktor i rëndësishëm për zhvillimin njerëzor.
Rrjetet shoqërore në internet, si Twitter e Facebook, janë pasqyrë e aspiratave të rrënjosura në zemrën e njeriut, shkruan Papa. Kur vlerësohen si duhet, mund të forcojnë lidhjet ndërmjet njerëzve e harmoninë e familjes njerëzore. Është e rëndësishme të themi të vërtetën, edhe kur shkruajmë në internet, thekson Benedikti XVI, pavarësisht se rrjetet shoqërore u vënë përpara sfida impenjative atyre, që duan të flasin për vlera të pavdekshme. Nganjëherë, zëri jo i lartë i arsyes mund të mbytet nga zhurma, që bën, kush paraqitet me tone më joshëse.
E pikërisht për këtë, mediat shoqërore kanë nevojë për impenjimin e të gjithë atyre, të cilët janë të vetëdijshëm për vlerën e dialogut e të debatit, që përdor arsyen. Sipas Atit të Shenjtë, këtu duhet të ndërhyjnë të krishterët, të cilët duhet të sjellin Ungjillin e Krishtit në internet. Sfida e vërtetë për ta është përfshirja në rrjetet shoqërore, ku mungesa e Ungjillit është tregues për indiferencën ndaj Fjalës së Zotit edhe në jetë. Ambienti dixhital nuk është ndonjë botë paralele, ose thjesht virtuale, por është pjesë e realitetit të përditshëm të njerëve, sidomos e të rinjve, vë në dukje Papa. Prandaj, impenjimi i krishterë në rrjetet shoqërore nuk bëhet aq për ta shtrirë hapin me kohën, por për ta mundësuar Ungjillin të arrijë në mendjet e në zemrat e të gjithëve. Të krishterët ndajnë me të tjerët burimin e shpresës e të gëzimit të tyre: fenë. E kjo bëhet duke shmangur sensacionalizmin, përmes dëshmimit të Ungjillit, nënvizon Benedikti XVI, sepse është Jezu Krishti Ai, që u jep përgjigjeve pyetjeve më të thella të njeriut.
Të krishterët duhet ta bëjnë të pranishme në rrjetet shoqërore “dritën e ëmbël të fesë”, siç thoshte i Lumi Njuman. Përveçse mjet ungjillëzimi, interneti mund të bëhet faktor i rëndësishëm për zhvillimin njerëzor. Papa e përfundon mesazhin duke i ftuar edhe një herë të krishterët të ndajnë me të tjerët përvojën e fesë, pasi shpesh, përmes internetit, njerëzit njihen me përmasa të ndryshme fetare, mund të mësojnë për takime lutjesh e kremtime. E rëndësishme është që besimtarëve të mos u mungojë koherenca e dëshmimit të Ungjillit, si në internet, ashtu edhe në jetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.