Papa përshëndet organizatorët e DBR-së. Kryeipeshkvi i Rios: të rinjtë dëshirojnë
një botë më të mirë.
Dje Benedikti XVI, në përfundim të audiencës së përgjithshme përshëndeti Komitetin
organizator të Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Rio–de-Zhanéjro
nga 23 deri më 28 korrikun e këtij viti. Papa kujtoi se vetëm të bashkuar, të rinjtë,
e me ta, gjithë besimtarët e krishterë, mund t’i realizojnë qëllimet e paracaktuara.
Në takimin e shkurtër me Papën ishte i pranishëm edhe kryeipeshkvi i qytetit brazilian,
imzot Orani João Tempesta, ta degjojme:
Përgjigje: -
I thashë Atit të Shenjtë se të rinjtë e mbarë botës do të jenë të lum ta presin në
Rio për DBR-së; Ati i Shenjtë m’u përgjigj se edhe ai dëshiron me gjithë zemër të
vijë e dha edhe bekimin e tij për të gjitha punët, që po bëjmë në Rio-de-Zhanéjro.
I thashë Papës edhe se vendi ku do të kremtojë Meshën Shenjte përfundimtare dhe Mbrëmësoren
e së shtunës, ditë e fundit te DBR-së, e kemi quajtur Campus Fidei. Më pas i paraqita
Atit të Shenjtë të gjithë Komitetin organizator vendas të DBR-së, që është këtu, i
përfaqësuar nga drejtuesit për liturgjinë dhe organizimin e strehimit, si dhe përfaqësuesit
e qeverisë federale braziliane e të Shtetit të Rios. Këta të fundit janë këtu, në
Romë, për të diskutuar edhe për sigurinë, për të kuptuar si mund ta përgatisim, në
këtë këndvështrim, vizitën e Atit të Shenjtë.
Pyetje: - Cilat janë
rezultatet që arritët në Romë këto ditë, në Këshillin Papnor për Laikët dhe në dikasteret
e tjera të Vatikanit?
Përgjigje: - U miratua gjithë ç’kemi
parashikuar deri tani e u shtuan edhe idetë e të reja, që Komiteti ia pati propozuar
Këshillit Papnor për Laikët si dhe Kongregatës për Kultin Hyjnor, ide që e pasuruan
programin.
Pyetje: - Ç’mund të na thoni për të rinjtë, që do të
gjejë Papa në Rio? Përgjigje: - Do të gjejë të rinj nga të katër
anët e Planetit, që duan të ndërtojnë një botë më të mirë për sot e për nesër. E dimë
se shumë do të arrijnë në Rio-de-Zhanéjro pavarësisht nga vështirësitë, por do të
jenë të lumtur, me besim se kjo është rrugë, që ushqen shpresën e madhe për ndërtimin
e një bote më të mirë se kjo e sotmja, pa dhunë e krime, me drejtësi e dashuri.