2013-01-24 15:54:54

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit polak Glemp: mbrojti dinjitetin e njeriut në kohë të vështira


Ndërroi jetë dje, në një spital të Varshavës, kardinali Jozef Glemp, i cili vuante nga një tumor në mushkëri. Ishte 83 vjeç. Papa Benedikti XVI shprehu ngushëllimet e tij me një mesazh të gjatë, në të cilin e quan prelatin “mbrojtës të dinjitetit të njeriut në një epokë të vështirë”. Funerali i kryeipeshkvit të nderit të Varshavës, i cili qe në krye të dioqezës pikërisht në vitet e kalimit nga komunizmi në demokraci, do të kremtohet të hënën, në orën 11, në katedralen e kryeqytetit polak.
Benedikti XVI bashkohet me lutjen e Kishës në Poloni me një telegram, dërguar kryeipeshkvit metropolit aktual, kardinalit Kazirnierz Nycz. Kujton moton ipeshkvnore të kardinalit Glemp, “Caritati in iustitia” (Bamirësi në drejtësi), duke nënvizuar se ajo i përshtatej katërcipërisht mënyrës së mendimit, të vlerësimit, të marrjes së vendimeve e të punës së prelatit polak. Ishte njeri i drejtë, shkruan Papa, në frymën e shën Jozefit, Pajtorit të tij, e të kujtdo, që në traditën biblike, diti ta dëgjojnë zërin e Zotit, i cili u drejtohej jo vetëm këtyre njerëzve personalisht, por edhe bashkësive ku shërbenin. Kjo drejtësi, e pasuruar me pranimin e përvuajtur të vullnetit të Hyjit, ishte baza e dashurisë së thellë të kardinalit për Zotin e njeriun, drita, frymëzimi dhe forca në detyrën e vështirë të udhëheqjes së Kishës në një epokë, shndërrimet shoqërore e politike të së cilës përfshinë Poloninë dhe Evropën”.
Benedikti XVI vë në dukje se kardinali Jozef Glemp vazhdoi veprën e kardinalit Vishinski, në bashkim me të Lumin Gjon Pali II, duke zgjidhur, me kujdes të madh, çështje e probleme të jetës politike, shoqërore e fetare të polakëve. Edhe sëmundjen e përballoi, duke dëshmuar mirësinë dhe dashurinë e Zotit. “Personalisht – përfundon Papa – e kam vlerësuar gjithmonë mirësinë e tij të sinqertë, thjeshtësinë, përkushtimin ndaj Kishës në Poloni e në botë. Kështu do të mbetet në kujtesën e në lutjen time. Zoti e pranoftë në lavdinë e Vet!”
Kardinali Jozef Glemp ka qenë protagonist i jetës kishtare e civile në Poloni. Me origjinë nga një familje e thjeshtë, lindi më 18 dhjetor 1929. Gjatë pushtimit fashist u detyrua të punonte si bujk e më pas, hyri në seminar. Shugurohet meshtar në moshën 26 vjeçare dhe bëhet një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kardinalit Stefan Vishinski, dëshmitar i shquar i fesë gjatë persekutimit komunist. Papa Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të Varmies në vitin 1979. Më 1981 bëhet kryeipeshkëv i Gniezno-Varshavës dhe primat i Polonisë, titull që e mban deri në vitin 2009. Dy vjet më pas krijohet kardinal, Në çastet më të vështira të diktaturës komuniste, veçanërisht kur gjenerali Jaruzelski imponoi ligjin ushtarak për të shtypur sindikatën e Solidarnoshit, u bën thirrje polakëve të shmangin luftrat vëllavrasëse. Merr përsipër kështu, rolin tepër delikat të ndërmjetësuesit mes regjimit dhe opozitës, duke u bërë pjesë e ndryshimeve demokratike në Poloni dhe protagonist i kthimit të Kishës Katolike në jetën publike të vendit, me nënshkrimin e marrëveshjes me Selinë e Shenjtë, në vitin 1993. U takua shpesh edhe me klerin e persekutuar shqiptar, shpëtuar nga kthetrat e komunizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.