2013-01-24 12:38:20

Don Luigj Prendushi, martir i Krishtit, vra nga komunizmi


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 24 janar, përkujtojmë martirin e fesë së Krishtit, don Luigj Prendushin, vra nga komunizmi. Siç dihet, muaji nëntor i vitit 2002 shënoi një ndër ngjarjet më të madhe për Kishën katolike të Shqipërisë e atë shqiptare në përgjithësi. Atë muaj në Shqipëri u zhvillua vizita e Prefektit të Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinalit Crescenzio Sepe, nga 6 deri më 11 nëntor 2002.
Gjatë kësaj vizite baritore, në katedralen e shën Shtjefnit në Shkodrë, me kremtimin solemnt të Meshës Shenjtë, u hap, në nivelin e Kishës vendore, procesi i beatifikimit e i kanonizimit për 40 martirë të kishës katolike shqiptare, kryesisht viktima të komunizmit, shqiptarë e misionarë të huaj që janë ikonë e gjallë e Kishës Universale.
Njëri nga të dyzetë martirët, që flijuan jetën për Krishtin është edhe dom Luigj Prendushi, të cilin po e kujtojmë sot në përvjetorin e vdekjes.

Dom Luigji lindi në Shkodër më 3 janar 1896. Si kreu shkollën fillore në vendlindje, nga viti 1908 deri më 1921 studioi në Piemont (Itali), në Kolegjën Skarnafizi e Sarvano. Po në këtë krahinë, në veri të Italisë, u shugurua meshtar, për t'u kthyer menjëherë në Atdhe e për të filluar shërbimin meshtarak. Nisi të predikojë Krishtin në malet e ashpra të Mazrekut, për të zbritur në Nënshat e më pas për t'iu ngjitur rishtas maleve, në zonën tejet të vështirë të Shllakut. Ravgoi më pas nga Dardha e Pukës, në Koman, Dush e së fundi, deri më 1946, në Kaçë-Naraç e Shelqet.
U arrestua më 5 dhjetor 1946, në valën e martirizimit të Kishës katolike, me akuzën spijun i Vatikanit. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend të shkretë më 24 janar 1947. Eshtrat e tij u gjetën vetëm pas 45 vjetësh, u sollën në qytetin e lindjes e u rivarrosen në Rrëmaj, pranë eshtrave të familjarëve të vdekur, në maj të vitit 1992.







All the contents on this site are copyrighted ©.