2013-01-23 16:41:18

Zgjedhje në Jordani. Bojkoton opozita


Në Jordani, u mbajtën sot zgjedhjet e parakohshme politike, të cilat u bojkotuan nga opozita, që i kërkon mbretit Abdallah reforma të thella demokratike. Pjesëmarrja në votime është e ulët. Partia e “Vëllezërve Myslimanë” manifestoi deri dje kundër zgjedhjeve. Ndikimi i ngjarjeve në Siri është i fuqishëm në vendin, që ka zgjedhur të ecë në rrugën e të moderuarve. Por, ardhja e refugjatëve nga Siria dhe gjendja në vendet fqinjë u kanë dhënë dorë islamistëve, të cilët po përpiqen të shtien në dorë pushtetin edhe në Jordani. Të dëgjojmë gazetarin italian Xhorxho Bernardeli, ekspert i Lindjes së Mesme:
Në këto zgjedhje ka rëndësi sa do të shkojnë vërtet për të votuar. Duhet të kemi parasysh se ky votim bëhet pasi u mbushën sheshet me protestat e nëntorit kundër rritjes së çmimeve, sidomos të karburantit. Gjendja është e veçantë edhe për shkak të pranisë së mbretit, i cili e ka udhëhequr Jordaninë, pa u kundërshtuar. Manifestimet e vunë në diskutim rolin e tij. Zgjedhjet i ka kërkuar vetë mbreti, duke shpërndarë para afatit parlamentin e duke premtuar reforma politike më demokratike. Duhet parë sa jordanezë do të duan të ndjekin akoma këtë rrugë të moderuar e sa do të dëgjojnë thirrjet e forcave islamiste.








All the contents on this site are copyrighted ©.