2013-01-23 16:12:39

Papa në audiencën e përgjithshme dhe në tweet: kush ka fe, shkon pa frikë kundër rrymës.


Të pohosh haptas se beson në Zotin, do të thotë të mos kesh frikë të shkosh kundër rrymës së një shoqërie, në të cilën Ai i lumi, është ‘munguesi i madh”. E pohoi këtë sot paradite Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Papa filloi një seri të re katekizmi, kushtuar “Besojmës”, lutjes themelore të fesë së krishterë, duke e përfunduar takimin javor me besimtarët, me një lutje për bashkimin e të krishterëve.
Për ta kuptuar deri ku mund të të shtyjë një akt besimi në Zotin, duhet shkuar me mend tek Abrahami, 'ati’ i gjithë atyre, që besojnë. Duhet ecur, shpjegoi Benedikti XVI, në atë udhë paradoksale, ku Zoti, për fe, i kërkoi të ecte Abrahamit, e ai, gjithnjë për fe, pranoi menjëherë ta kryente shtegtimin e kërkuar, pa e ditur ku po shkelte e ku po shkonte. Patriarkës, pohoi Papa, i premtohet një popull i panumërt, ndërsa gruaja e tij, Sara, ishte shterpë. Zoti i prin kah një atdhe i ri, ku i duhet të jetojë si i huaj. Abrahami e pranon këtë thirrje dhe misterin që përmban, sepse në atë mister është vetë Zoti. Po ne, pyeti Papa, si do të kishim vepruar?
“Është fjala për një nisje në terr, pa e ditur për ku po të prin Zoti; shtegtim, i cili kërkon bindje e besim të plotë, që mund të gjindet vetëm në fe. Por errësira e së panjohurës, drejt së cilës duhet të ecë Abrahami, ndriçohet nga drita e një premtimi; Zoti i shton urdhërit, një fjalë, që e siguron Abrahamin e që i hap para një ardhmëri jete të përkryer: “Do të bëj prej teje, një komb të madh”.
Në tokën, që Zoti ia dhuron Abrahamit, por që gjithsesi nuk i përket atij, shikojmë një simbol, nxëmë një mësim me vlerë universale:
“Nuk duhet të kemi synime pasjeje, duhet ta pranojmë gjithnjë varfërinë tonë e ta shikojmë gjithçka si dhuratë. Ky është kushti shpirtëror i njeriut, që pranon ta ndjekë Zotin, i atij, që vendos të niset, duke iu përgjigjur thirrjes, nën shenjën e bekimit të Tij të padukshëm, por të gjithëfuqishëm”.
Atëherë, pyeti Papa, ç’do të thotë të shqiptosh “Besoj në Tënzonë”? Një pohim themelor, vijoi të shpjegonte, në dukje krejt i thjeshtë, por që të hap para horizonte të pafundme, të krijon lidhjen me Zotin e me misterin e tij:
“Të “besosh në Tënzonë”, do të thotë ta bazosh mbi Të gjithë jetën tënde, ta lësh Fjalën e tij të të drejtojë çdo ditë, në rrugë konkrete, pa frikë se do të humbasësh diçka nga vetvetja. “Besoj”, sepse është vetë jeta ime personale që duhet të bëjë kthesë, me ndihmën e dhuratës së fesë; është jeta ime, që duhet të ndryshojë, që duhet të ecë në rrugën e Zotit”.
Të besosh në Tënzonë, pohoi Papa, duke e përsëritur këtë koncept edhe në tweet, do të thotë të bëhesh mbartës vlerash, të cilat shpesh nuk përkojnë fare me modën e as me opinionet e çastit, do të thotë të ndjekësh kritere e të zgjedhësh rrugë, që nuk i përkasin mënyrës së zakonshme të mendimit:
I krishteri duhet të shkojë pa frikë kundër rrymës, në se dëshiron ta jetojë fenë e vet, duke përballuar tundimin e ‘uniformimit’. Në shumë nga shoqëritë tona Zoti është bërë ‘munguesi i madh’ e vendin e tij e kanë zënë idhujt, shumë idhuj, idhuj të ndryshëm, posaçërisht pasja e vetvetja e pavarur. E edhe progreset e ndjeshme e pozitive të shkencës e të teknikës, i krijuan njeriut iluzionin se është i plotfuqishëm, se i mjafton vetvetes, si dhe një egocentrizëm në rritje, me pasojë prishjen e ekulibrit brenda marrëdhënieve ndërpersonale dhe sjelljeve shoqërore”.
Pas përmbledhjes së katekizmit dhe përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI e përfundoi audiencën me një urim, nën shenjën e ekumenizmit, në qendër të një numri të madh kremtimesh gjatë këtyre ditëve:“Uroj që Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve të nxisë në gjirin e të gjitha bashkësive impenjimin për të lypur me ngulm nga Zoti dhuratën e unitetit dhe të jetës me frymën e bashkimit vëllazëror”.







All the contents on this site are copyrighted ©.