2013-01-23 14:00:12

OXFAM u kërkon pjesëmarrësve në Forumin e Davosit të eliminojnë pabarazitë shoqërore, brenda vitit 2025


Sapo ka filluar edicioni i 43-të i Forumit Ekonomik Botëror të Davosit e “OXFAM”, konfederata e organizatave jo qeveritare, që lufton për t’i dhënë fund varfërisë, u bën thirrje të mëdhenjve të botës të punojnë për eliminimin e pabarazive shoqërore, brenda vitit 2025. “Ka ardhur koha të reformohet sistemi – shkruan në një notë, drejtori i OXFAM International, Xheremi Hobs. Duhet menduar më shumë për interesat e gjithë njerëzimit e jo vetëm për ato të ndonjë elite”.
Sipas organizatës, të ardhurat e vitit të kaluar të 100 njerëzve më të pasur të botës, që arrijnë shifrën 240 miliard dollarë, mund t’i japin fund mjerimit në botë, ku ka persona, që jetojnë me më pak se 1,25 dollarë në ditë. Vendi me pabarazi shoqërore më të theksuar, sipas OXFAM-it, është Afrika e Jugut, ku ndryshimi ndërmjet të pasurve e të varfërve është shumë më i madh tani, se në fundin e aparteidit. Por nuk jetohet më mirë as në Britaninë e Madhe e në Kinë. Në Angli, nënvizon organizata, jemi kthyer në nivele, që nuk shiheshin nga koha e Çarls Dikensit, ndërsa në Kinë, vetëm 10% e popullsisë zotëron 60% të të ardhurave vendore. Receta e OXFAM-it për të dalë nga kjo gjendje parashikon eliminimin e të gjitha parajsave fiskale, që do të thotë 189 miliard dollarë të ardhura më shumë nga taksat; rritjen e investimeve në shërbimet publike falas dhe; vendosjen e një page minimale, në përpjestim me rendimentin e kapitalit të punëdhënësit. Të dëgjojmë drejtoreshën e fushatave të OXFAM-it në Itali, Eliza Baçoti:
Është me rëndësi që Forumi i Davosit i ka përqendruar reflektimet mbi temën e pabarazisë, por presim të caktojë edhe një plan veprimi për të arritur në shpërndarjen më të drejtë të pasurive globale.
Në ç’mënyrë e pengon luftën kundër varfërisë, përqendrimi i pasurisë në një grusht njerëzish?
Përqendrimi i pasurisë e frenon luftën kundër varfërisë, nëse kjo pasuri mbahet në kasafortat e pak vetëve, pa u investuar për zhvillimin e shoqërisë. Problemi i pabarazisë në botë është mjaft i ndërlikuar e shpresojmë që krerët botërorë ta kenë kuptuar se nuk mund të jemi të lumtur vetëm, ose nuk mund të jenë të lumtur vetëm pak vetë. Diskutimi i Davosit duhet të zhvendoset në mbledhjen e G8-ës dhe të G20-ës, si edhe në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Dialogu duhet të vazhdojë e të bëhet gjithnjë e më konkret.








All the contents on this site are copyrighted ©.