“L’Osservatore Romano” për praninë e Papës në Twitter, në gjuhën latine: “Si Shën
Pali, lundron në agorà-në moderne të rrjeteve shoqërore”
Hyrja e Papës në Twitter shkaktoi debate të fuqishme, me konsensuse, nga njëra anë,
por edhe me kritika, madje, të shprehura me tone të ashpra e edhe me ironi, që asnjë
nuk mund t’i shmangë, sado i madh të jetë. Natyrisht, duhet të jemi të kujdesshëm,
por siç na ka mësuar Shën Pali Apostull, i krishteri duhet të jetë gati të ballafaqohet
me moskuptimin e ironinë e agorà-së, sheshit, që tashmë është kthyer në detin e pafund
të mediave, ndër të cilat, interneti. Me këto fjalë, gazeta e Vatikanit “L’Osservatore
Romano” i kushton një artikull faqes së Papës në Twitter, veçanërisht asaj në latinisht,
ku të mërkurën e kaluar, pas audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI shkroi mesazhin
e tij të parë. Gazeta shpjegon se përkrah debatit të kultururar dhe ironik mbi
përdorimin e latinishtes, nuk munguan reagimet jashtëzakonisht negative për praninë
e Atit të Shenjtë në rrjetin shoqëror. “Në këtë rast – shkruan “L’Osservatore Romano”,
duke përmendur një nga sociologët më të famshëm të shekullit të kaluar – të citosh
McLuhan nuk ka kuptim. Opinioni i atyre, që janë marrë me këtë temë, është praktikisht
unanim. Mjeti nuk përbën edhe mesazhin, kur është fjala për internetin, pasi prej
kohësh, ai nuk është më vetëm mjet komunikimi, por ambient jetese”. “Edhe thesari
i letërsisë së lashtë të krishterë – vazhdon gazeta – ka nevojë të ankorohet ‘hic
et nunc’ (këtu e tani), për të mbetur gjallë e për të arritur tek brezat e rinj: vetë
faqja në latinisht e Papës mund të bëhet, me kohë, stërmbesa teknologjike e përzgjedhjes
së lashtë antologjike, në të cilën, mjeshtrat mesjetarë vendosnin fraza nga tekstet
e Etërve – por edhe proverba e maksima të famshme – për t’ua ofruar studentëve, duke
thyer për ta bukën e ushqimit të përbashkët”. Edhe sot, përfundon shkrimi, një frazë
e shkurtër, por e mençur, e përdorur si sfond në një celular, ose e dërguar si mesazh
një miku në Twitter, mund të tejshpojë perden e rëndë të konfuzionit dhe të shpërqendrimit,
që bie mbi jetën e përditshme.