2013-01-22 15:57:32

Tiranë: Sali Berisha pret Nobelin e Paqes Yunus


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha priti sot në Tiranë nobelistin e Paqes, prof. Muhammad Yunus, i cili ndodhet në Shqipëri për të promovuar iniciativën e qeverisë shqiptare për lëvizjen gjithëpërfshirëse për implementimin e konceptit të biznesit social në vend.
Zoti Yunus përgëzoi kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij ndaj Agjencisë për Nxitjen e Biznesit Social dhe Lëvizjes për Implementimin e Biznesit Social.
Kryeministri Shqipërisë Berisha, duke e falënderuar zotin Yunus për mbështetjen e kontributin e tij, shprehu bindjen se implementimi i biznesit social në partneritet me Yunus Social Businnes Albania, me kompani tregtare dhe institucionet akademike, do të mund të adresojë problematikën e varfërisë, papunësisë e çështje të tjera sociale.
Iniciativa të biznesit social, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, po ndërmerren duke adresuar problematika të arsimit profesional, të grumbullimit të produkteve bujqësore apo të punësimit të grave në punë artizanale. Kryeministri Berisha shprehu bindjen se këto janë vetëm shembujt e parë dhe të tjerë do të pasohen në sektorët e energjisë, arsimit, turizmit, shëndetësisë.
Zoti Yunus garantoi për mbështetjen e vazhdueshme që Yunus Social Businnes do të sigurojë në përpjekje për zhdukjen e varfërisë dhe adresimin e problemeve sociale në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.