Papa priti në Vatikan për herë të parë Sekretarin e Partisë Komuniste të Vietnamit
Ati i Shenjtë Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan, në audiencë, Sekretarin
e Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit, Shkëlqesinë
e Tij, zotin Nguyèn Phu Trong. Më pas Sekretari i Përgjithshëm e delegacioni përcjellës
kanë takuar Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Hirësinë e Tij, kardinalin Tarcisio
Bertone, shoqëruar nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, Shkëlqesia
e Tij, imzot Dominique Mamberti. Është hera parë që një Sekretar i Përgjithshëm
i Partisë Komuniste të Vietnamit takon Atin e Shenjtë Papë e përgjegjësit e tjerë
të Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë. Në bisedimet e përzemërta, që zgjatën
gati 30 minuta, u trajtuan tema me interes për Vietnamin dhe për Selinë e Shenjtë
dhe u shpreh dëshira që, sa më shpejt të jetë e mundur, të zgjidhen disa situata ende
problematike e të përforcohet bashkëpunimi ekzistues, me dobi dhe rëndësi të madhe. Në
vitin 2009, Benedikti XVI pati pritur në audiencë Presidentin e Vietnamit Nguyen Minh
Triet. Vatikani e Vietnami i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike para 37 vjetësh, pas
pushtimit të Sajgònit, por prej kohësh ka filluar një farë afrimi dhe dialogu. Pikërisht,
për normalizimin e marrëdhënieve, në janar të vitit 2011, Vatikani emëroi si përfaqësues
papnor jo rezident në Vietnam, imzot Leopoldo Xhirelin.