2013-01-22 16:10:08

OKB-ja thirrje për qetësi në Luginën e Preshevës


Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për qetësi në Luginën e Preshevës, pas heqjes së lapidarit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga ana e xhandarmërisë serbe. "Kombet e Bashkuara përcjellin zhvillimin e situatës në Luginë dhe bëjnë thirrje për qetësi", ka deklaruar Martin Nesirki, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. "OKB-ja vazhdimisht ka theksuar nevojën e pajtimit ndërkombëtar dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor", ka shtuar Nesirki.
Xhandarmëria serbe, me urdhër të Qeverisë ne Beograd, ka larguar të dielën lapidarin e ushtarëve të rënë të UÇPMB-së, i cili ndodhej para Kuvendit Komunal në Preshevë. Një gjë e tillë ka nxitur protesta në këtë vend, por edhe reagimin e autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe ndërkombëtare.
Lapidari u kushtohej shqiptarëve që luftuan për më shumë të drejta në Luginën e Preshevës. Konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe ka marrë fund në maj të vitit 2001, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Autoritetet serbe e konsiderojnë UÇPMB-në si "organizatë terroriste.
Agjencite e lajmeve njoftojne se forca të mëdha të xhandarmerisë serbe vazhdojnë të qëndrojnë të stacionuara në zonën e gjerë të Preshevës, pas aktit vandal të heqjes së lapidarit të UÇPMB-së. Banorë lokal i kanë thënë agjencisë së lajmeve INA se prania e shtuar e forcave serbe vijon në këtë zonë, kryesisht në zonën me kufirin me Kosovën, ku janë shtuar lëvizjet e njësiteve të xhandarmerisë.
“Në zonën malore ku kam shtëpinë tashmë është rrezik për të lëvizur, për shkak të pranisë së shtuar të xhandarëve dhe kjo na rrezikon edhe neve jetën, për shkak se në këtë situatë nuk i dihet dhe mund të pësosh”, theksoi një banor nga fshati Caravajkë i komunës së Preshevës.
Banorët theksojnë se ndjejnë frikë nga kjo prani e shtuar dhe se apelojnë që të reagohet urgjentisht që Serbia të tërheq këto njësite speciale nga kjo zonë, për të krijuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në deklaratën e përbashkët të liderëve politik, ndër pikat kryesore është edhe tërheqja e njësiteve speciale dhe të xhandarmerisë serbe nga rajoni i gjerë i Luginës së Preshevës.
“Kërkojmë nga qeveria e Beogradit që urgjentisht të liroj logjikën e dhunës, ultimatumeve dhe arbitraritetit në komunikim me shqiptarët, konform kësaj largimin e forcave speciale,nga Lugina e Preshevës dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtarisht të marra ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen e Konçulit”, theksohet në deklaratë.
Dy ditëve të fundit janë shmangur edhe lëvizjet e shtuara të njësiteve të xhandarmerisë përskaj rrugës kryesore të qytezës së Preshevës, por dëshmitarë okularë kanë parë lëvizje të shtuara të makinave civile të shërbimeve policore serbe, të cilët po ndjekin në hollësi situatën në Preshevë. Pas protestës së djeshme të shqiptarëve të Luginës është miratuar një deklaratë e përbashkët përmes së cilës kërkohet vëmendje ndaj shqiptarëve në këtë rajon dhe ndërprerjen e masave represive serbe, që kulmuan me heqjen e monumentit historik të shqiptarëve që përkujtonte dëshmorët e UÇPMB-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.