2013-01-22 13:29:16

Me 22 janar kalendari kujton shën Vinçenc Palotin


Me 22 janar kalendari kishtar përkujton Shën Vinçenc Palotin, meshtar
Vinçenc Paloti, romak, i lindur në vitin 1795, meshtar që nga viti 1818, u ndesh me mosbesim e pengesa të shumta në botën kishtare kur, ashtu si pak kush, (dom Nikollë Maca në Veronë për shembull) kuptoi ç’kërkonte koha nga katolikët.
Pas stuhisë së Revolucionit francez e të Napoleonit, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë e studiues u vunë me gjithë shpirt në mbrojtje të fesë. E Vinçenci e shikonte këtë dhe e vlerësonte. Por ai mendonte se kjo ishte e pamjaftueshme: problemi i vërtetë nuk ishte të mbrohej gardhi, brenda të cilit ndodheshin besimtarët. Jo, duheshin fituar besimtarë të tjerë, kudo, duke i shembur gjerdhet. E shtonte: kjo është detyrë e të gjithëve; çdo i krishterë e ka për detyrë ta ruajë fenë e ta përhapë atje ku nuk ka arritur akoma ose ku nuk është më. Ky ishte një program sulmi.
Vinçenci respektonte mandatin e veçantë të Papës, të ipeshkvijve, të klerit, por fliste edhe për ‘apostullimin katolik” si detyrë dhe e drejtë e çdo besimtari, sepse Zoti i urdhëron të gjithë të kujdesen për shëndetin e shpirtit të të afërmit. Mbi këtë bazë lindi në vitin 1835 Vepra e Apostullimit Katolik, shoqatë laikësh, që do të kishte si pjesë të brendshme e si forcë lëvizëse një bashkësi meshtarësh, e ndjekur nga Kongregata e Motrave të Apostullimit katolik (që njihen me emrin Palotine). Qëllimi: ta bënte Krishtin të njohur me fjalë, me mësim, me vepra materiale e shpirtërore bamirësie Gregori XVI e miratoi veprën, e atëherë në Romë të gjithë nisën ta shikojnë me nderim don Vinçencin. Por shoqëria e tij e apostullimit, pas fillimit të mbarë, nisi të haste pengesë pas pengese, duke filluar nga shtyrja e vazhdueshme e miratimit të rregullës (deri në vitin 1904).
Vinçenci vdiq me famën e njeriut shenjt, por që ama e kishte bërë një gabim. Gjithsesi ai që quhej ‘gabimi i tij’, vijonte të përparonte, duke bërë që, në fund të shekullit XX, palotinët të luanin një rol gjithnjë më të rëndësishëm. E megjithatë ky i ashtuquajtur ‘gabim’, që solli frymë të re në Kishë, e ngadalësoi çështjen e shenjtërimit të Tij, gjithnjë përmes keqkuptimesh e dritëshkurtësie.
U desh Papa Piu XI për t’i dhënë fund mosbesimit e për ta shpallur Vinçencin punëtor të vërtetë’ e ‘bashkëpunëtor të çmuar të misionit katolik’, ndërsa shenjt u shpall nga Gjoni XXIII në vitin 1963. Dy vjet më pas, dekreti Apostolicam actuositatem i Koncilit II të Vatikanit do të shpallte solemnisht: “Laikët kanë të drejtën dhe detyrën e apostullimit, që buron nga bashkimi i tyre me Krishtin, Kryet e Kishës”.
Kështu jehuan fjalët e Vinçenc Palotit, mase 130 vjet pas vdekjes së tij në Kishën universale, me zërin e Papës Pali VI dhe të ipeshkvijve të mbarë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.