2013-01-22 15:26:41

Kryeipeshkvi i Akrës: islami integralist, në rritje në Afrikë, por Evropa nuk e mbron kontinentin


Fondamentalizmi islamik në Afrikë është në rritje. Nga vendet arabe, ai po përhapet në pjesën tjetër të kontinentit, nga Nigeria në Somali e në Mali. Kisha Katolike është thellësisht e shqetësuar, siç pohon, në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Akrës, në Gana, imzot Çarls Palmer-Bakëll:
Deri në shekullin e kaluar, kemi bashkëjetuar paqësisht me islamizmin afrikan, sepse në të nuk kishte fondamentalistë. Që prej dhjetë vjetësh, shumë myslimanë kanë shkuar për studime në Arabinë Saudite, në Egjipt, në Kuvajt, në Libi e në Iran e tani, po sjellin brenda islamizmit afrikan fondamentalizmin, i cili u krijon probleme vetë myslimanëve, por edhe gjithë kontinentit afrikan. E integralistët po fillojnë të bashkëpunojnë me terroristët jashtë Afrikës.
Si e vlerësoni rolin e fuqive perëndimore në Afrikë?
Në të vërtetë, duhet të them se jam i zhgënjyer nga fuqitë perëndimore. Për shembull, tani Franca impenjohet në Mali. Do të doja ta pyesja: cili është qëllimi i vërtetë i ndërhyrjes ushtarake? Mos vallë, kolonizimi i ri? Fatkeqësisht, Franca pati ndërhyrë edhe në Bregun e Fildishtë, por i pamë rezultatet. Vendi nuk ka paqe e nuk do ta ketë edhe për 25 vjet të tjera, sepse plagët, që duhej të mbylleshin, që duheshin mjekuar, janë akoma të hapura! Kur shoh si ndërhyjnë vendet evropiane, kur vendosin – për shembull – se nuk do t’i japin më ndihma financiare atij apo këtij vendi, pyes: e bëjnë për t’i dhënë fund krizës në atë shtet, apo për të krijuar një gjendje edhe më të vështirë, që e bën vendin gjithnjë e më të varur nga Evropa? Prandaj, jam shumë i zhgënjyer nga Evropa: nuk ia kam më besën, nuk mendoj se ka dëshirë ta ndihmojë Afrikën, të mbrojë të varfërit, nevojtarët, të vuajturit. Madje, besoj se jo, nuk do!







All the contents on this site are copyrighted ©.