2013-01-22 15:16:02

Benedikti XVI, Veprimit Katolik: gjallërojeni impenjimin për të dëshmuar Ungjillin


U hap dje pasdite në Romë, Kuvendi kombëtar i asistentëve të Veprimit Katolik, me temë “Asistentë të pjekur, për njerëz të rritur në fe”, ku po diskutohet pikërisht për figurën e asistentit dhe për identitetin e tij. Kuvendi do të përfundojë më 24 janar.
Papa Benedikti XVI u dërgoi pjesëmarrësve një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. Ati i Shenjtë e vlerëson nismën, që synon thellimin në aspekte të rëndësishme të misionit të Kishës në botë e uron që pjesëmarrësit të dalin nga Kuvendi me një hov të ri apostolik, për ta dëshmuar me bujari Ungjillin e për ta udhëhequr me mençuri shoqatën e punën e saj brenda bashkësisë së krishterë.
“Prania e një meshtari, që e shoqëron, e udhëheq dhe e mbështet udhën e Veprimit Katolik, në të gjitha aspektet – nënvizohet në një komunikatë të Shoqatës – bën pjesë në historinë e në jetën e këtij Veprimi, i cili është gjithnjë i bindur se vetëm asistentët “e pjekur” janë në gjendje të punojnë me realitete shoqërore, që kanë për detyrë formimin e laikëve, të karakterizuar nga feja e pjekur dhe e menduar, të aftë të jenë tharmi i bashkësive të krishtera, në një kohë ndarjesh, të kujdesshëm për të mësuar sërish si t’i shoshisin punët e si të gjejnë hapësira për t’u konfrontuar e për të marrë vendime të përbashkëta, të orientuara nga Ungjilli”.

Të rriturit, vazhdon komunikata, nuk duhen konsideruar si të formuar një herë e përgjithmonë. Ata duhet të jenë në kërkim të vazhdueshëm për të gjetur rrugën e përshtatshme të dëshmimit të Krishtit në bashkësinë e tyre. Feja, që nuk ecën me kohën e nuk ka parasysh aspektet e ndryshme, që Kisha thekson herë pas here, vështirë të jetë e gjallë dhe e frytshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.