2013-01-21 15:46:04

Papës i paraqiten dy qengjat e bekuar, në festën e Shën Anjezes martire.


Për Kishën, 21 janari është dita e kujtimit liturgjik të Shën Anjezes e, sipas një tradite shumë të lashtë, edhe dita në të cilën Papës i paraqiten qengjat e bekuar: me leshin e tyre do të thuren paliot e shenjta, të cilat çdo vit, më 29 qershor, Papa ua vë mbi supe kryeipeshkvijve të rinj metropolitë. Edhe sivjet kremtimi u përsërit, pak pas mesdite, në Pallatin Apostolik ku dy qengjat, që iu paraqitën Benediktit XVI, u rikujtuan të pranishmëve martirizmin e Shenjtores, së cilës vitin e kaluar Papa i pati kushtuar një portret shpirtëror.
Romë, 21 janar 305. Stadiumi i Domicianit, Sheshi i ardhshëm Navona. Qyteti i Amshuar përgatitet të derdhë një përrua të ri gjaku. Prej dy vjetësh, perandori Domician ka vendosur t’i zhdukë nga faqja e dheut gjithë të krishterët. Prej këndej, ka nisur një nga persekutimet më mizore kundër tyre. Duke i martirizuar me egërsi të paparë. Më 21 janar është radha e një vashe të mitur, 12-13 vjeçe, që paraqitet para gjykatësve të pamëshirë e ngarkuar me hekura. Fajtore për një faj të vetëm: është e krishterë. Nuk pranon ta mohojë fenë e vet, e as ta përdhosë pastërtinë, kusht që ia ka bërë Zotit Jezu Krisht. Xhelatët përdorin të gjitha mjetet për ta bërë të heqë dorë, të mohojë. Po kot. Më në fund e humbasin durimin. E therin, pikërisht ashtu si thereshin asokohe qengjat. Shpata ngulet thellë në grykën e Vashës martire. E ky është fundi i Anjezes, sipas burimeve të lashta të krishtera, e, me pak ndryshime, edhe sipas atyre historiografike. Por, në se historia ka ndonjë dyshim, Kisha nuk dyshon kurrë në forcën e fesë së martires së mitur, që vuri kokën nën teh të shpatës, për Krishtin, siç nënvizoi edhe Benedikti XVI vitin e kaluar:
“Martirizimi për Shën Anjezën kishte kuptimin e pranimit të lirë e të fisëm të flijimit të jetës së saj të re, plotësisht e pa asnjë rezervë, që Ungjilli të kumtohej si vërtetësi e si bukuri, që ndriçon jetën. Në martirizimin e Anjezes, përballuar me guxim të pashoq në stadiumin e Domicianit, shkëlqen përgjithmonë bukuria e njeriut, që i përket Krishtit pa kurrnjë lëkundje, duke ia besuar gjithë vetveten Atij” (Fjalim mbajtur në Kolegjin Kapranika, 20 maj 2012).
Me martirizmin, pati vërejtur Papa, Anjeza vulos edhe një element tjetër të jetës së saj: virgjërinë për Krishtin e për Kishën:
“Dhurimi i plotë përmes martirizmit përgatitet nga zgjedhja e lirë, e vetëdijëshme dhe e mirëmenduar e virgjërisë, dëshmi e vullnetit për t’i përkitur plotësisht Krishtit. Në se martirizimi është akt heroik përfundimtar, virgjëria është fryt i miqësisë së përhershme me Jezusin, që fiton pjekurinë në dëgjimin e përhershëm të Fjalës së Tij, në dialogun e lutjes, në takimin eukaristik. Anjeza, ende e re, kishte mësuar se të jesh dishepulle e Zotit do të thotë ta duash, duke vënë në lojë gjithë jetën” (Fjalim mbajtur në Kolegjin Kapranika, 20 maj 2012).
Më 29 qershorin e ardhshëm, Papa do t’u vërë përsëri paliot e shenjta kryeipeshkvijve metropolitë. Riti do të kremtohet në një shesh tjetër të Romës, edhe ai teatër martirizimi: në Sheshin e Shën Pjetrit. E nuk është aspak e rastit, që kremtohet këtu sepse, siç pohon Ati i Shenjtë:“… qyteti ynë është themeluar edhe mbi miqësinë për Krishtin e mbi dëshmimin e Ungjillit nga shumë bij e bija të Tij. Dhurimi i tyre bujar për Krishtin e vëllezërit, është një nga tiparet kryesore të fizionomisë shpirtërore të Romës” (Fjalim në Kolegjin Kapranika, 20 maj 2012).







All the contents on this site are copyrighted ©.