2013-01-21 15:45:48

Lutja e Engjëllit të Tënzot. Papa: të krishterët të ecin drejt unitetit, me guxim e dialog.


Lutja për bashkimin e të krishterëve dhe thirrja për t’i dhënë fund masakrimit të civilëve të pambrojtur në botë, ishin dy temat kryesore të reflektimit të djeshëm të Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, nga dritarja e studios private papnore, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, ku vijojnë të tërheqin vëmendjen e mijëra njerëzve, Shpella e Betlehemit dhe Bredhi madhështor i festave të dimrit, dje nën një shi të akullt. Ishte reflektim i frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, përqendruar tek episodi i Dasmës së Kanës.
Vera e zgjedhur, që Jezusi u siguron dasmorëve, në një çast të vështirë, gjatë gostisë në Kanë të Galilesë, është simbol i gëzimit të dashurisë, e më shumë akoma, i gjakut, me të cilin do të vuloste, tre vjet më pas, paktin dasmor me njerëzimin. Njerëzve të mbledhur në kolonatin e Berninit, strukur nën ombrellat, që rriheshin nga shiu, Benedikti XVI u kujtoi domethënien e thellë të mrekullisë së parë të Krishtit, dëftimin e Tij para botës e njëkohësisht, shenjën, përmes së cilës tregonte se ishte Ai Dhëndri i Kishës, që do ta bënte të shenjtë e të bukur. Gjithsesi, shenjtëria e bukuria duhen fituar vazhdimisht:
“Kjo Vashë-Nuse, e formuar nga qenie njerëzore, ka vazhdimisht nevojë për pastrim. E një nga fajet më të rënda, që e përçudnojnë fytyrën e Kishës, është ai që i kundërvihet bashkimit të saj të dukshëm, është përçarja historike, që i ndan të krishterët e që nuk është kapërcyer ende plotësisht”.
Kisha në botë po jeton, si çdo vit në këtë periudhë, Javën e lutjes për unitetin e të krishterëve, një çast, nënvizoi Benedikti XVI, që mirëpritet gjithnjë nga besimtarët e nga bashkësitë, sepse rizgjon dëshirën dhe impenjimin shpirtëror për bashkimin e plotë. E kjo dëshirë u ndje fort, kujtoi Papa, në Mbrëmësoren e lutjes, që u jetua më 29 janarin e kaluar, me të rinjtë e Bashkësisë së Tezesë. E kështu do të jetë, vijoi Benedikti XVI, edhe të premten e ardhshme, më 25 janar, kur do të kryesoj Lutjet mbrëmësore ekumenike, në përfundim të Javës, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës:
I inkurajoj të gjithë të luten së bashku, që të mund të realizojmë çka kërkon Zoti nga ne, siç na e kujton sivjet edhe tema e Javës; temë e propozuar nga bashkësitë e krishtera të Indisë, që na ftojnë të ecim vendosmërisht drejt bashkimit të dukshëm ndërmjet gjithë të krishterëve e ta kapërcejmë, si vëllezër në Krishtin, çdo tip padrejtësie e diskriminimi”.
E ushqyer nga dëshira për ta parë, më në fund, mbarë Kishën të bashkuar, lutja e Engjëllit të Tënzot rroku mbarë planetin, si të ishte përqafim i një ati, i cili vuan thellë për shkak të luftërave të tepruara vëllavrasëse e të tmerreve të përditshme, që shkaktojnë. Prej këndej, thirrja:
“Në konfliktet e ndryshme që, për fat të keq, vijojnë, t’i jepet fund masakrimit mbi civilët e pambrojtur dhe çdo tipi të dhunës e të gjindet guximi i dialogut e i bisedimeve”.
Në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI i përshëndeti të pranishmit në gjashtë gjuhë, përveç italishtes, duke i ftuar të gjithë të luten, që të krishterët të jenë përsëri ‘një gjë e vetme’. Posaçërisht në gjuhën portugeze, Papa iu lut Zojës së Bekuar t’i mbrojë familjet që, nënvizoi, në çdo strehë të krishterë të jetë gjithnjë e ndezur flaka e fesë, e dashurisë dhe harmonisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.