2013-01-21 17:28:54

Jahjaga: Rugova na bën të ndjehemi krenar për rrugën e kaluar


Presidenca e Kosovës me një akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar ka shënuar sot 7-vjetorin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, ku ishin të pranishëm zyrtarë të institucioneve të Kosovës, liderë politikë, shumë zyrtarë të LDK-së, diplomatë të huaj si dhe familja Rugova.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në fillim të fjalës së saj tha se “Presidenti historik Ibrahim Rugova, na bën të ndjehemi krenar për rrugën që si popull bashkërisht e kemi kaluar”.
“Ne sot duke i vlerësuar të arriturat tona, me pietetet i kujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan, që ranë në altarin e lirisë, që punuan për të mirën e popullit dhe të atdheut, që u shkrinë në përkushtimin për të qenë të lirë dhe zot në trojet tona. Për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, vend anëtar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat dhe në mekanizmat ndërkombëtar dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ne sot e kujtojmë Presidentin e parë të shtetit, i cili në kohë të vështira, diti të marrë vendime të rëndësishme që i dhanë kahje historisë duke e përcaktuar përfundimisht fatin tonë si popull dhe të ardhmen e atdheut”, tha ajo.
Presidentja kujtoi se në nisje të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Ibrahim Rugova e zgjodhi rrugën e krijimit të mendimit filozofik e politik të pikëpamjes së atdhetarizmës të formësuar, si filozofi e politikës aktive paqësore, që mobilizoi popullin e etshëm për liri, për pavarësi e për demokraci, për zhvillim të jetës pluraliste, për avancim të proceseve demokratike dhe për shtet ndërtim. Kjo, shtoi ajo, i dëshmoi aftësitë organizative të popullit, për të pasur dhe për të mbajtur shtet. Patëm një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, të pashënuar ndonjëherë në historinë tonë, që kulmoi me intervenimin ushtarak humanitar të NATO-s në këto hapësira, për të parandaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik.
“Dr. Ibrahim Rugova së bashku me intelektualët e tjerë krijoi dhe udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë Demokratike në historinë tonë, që vepronte publikisht, e orientuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Së bashku me partitë e tjera krijoi jetën shumëpartiake për shtet ndërtim duke iu kundërvënë me shumë sukses sistemit okupues”, tha Jhajga duke folur për rrugën politike të Presedentit historik, për të cilin tha se “ishte strategu i shtetit të Kosovës, i Republikës së Kosovës, që e kishte legjitimitetin e përkrahjen e gjithëmbarshme popullore dhe bazën legale të veprimit e të funksionimit”.
Po ashtu Jahjaga tha se Presidentit Rugova i takon edhe merita për ndërtimin e partive të orientimit properëndimor e demokratik, duke kultivuar karakterin liridashës, atdhetar dhe civilizues të kombit duke hequr përgjithmonë nga këto hapësira ideologjinë komuniste, si një e keqe që i shkaktoi vuajtje popullit në të kaluarën.
“Republika e Kosovës nderon bijtë dhe bijat e veta, që kontribuuan që ne sot të jemi të lirë, të pavarur, të barabartë e dinjitoz në trojet tona. Presidenti Ibrahim Rugova është në piedestalin e këtyre intelektualëve, veprimtarëve, politikanëve që si udhëheqës i zoti diti ta drejtoj popullin dhe atdheun drejtë të ardhmes evropiane”, tha zonja Jahjaga.
Në fund të akademisë përkujitmore, Filharmonia e Kosovës ekzekutoi disa pika muzikore klasike në nderim të Presidentit Rugova.
Me rastin e shtatëvjetorit të vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga bëri homazh dhe vuri lule mbi varrin e Presidentit Rugova në lagjen Velania të Prishtinës.
Presidentja Jahjaga më pas vizitoi familjen Rugova, ku u prit nga bashkëshortja dhe familjarët e Presidentit Rugova.








All the contents on this site are copyrighted ©.