2013-01-21 14:19:42

Benedikti XVI, Këshillit “Cor Unum”: Kisha mbron dinjitetin e njeriut, jo teorinë “gjinore”


Kisha mbron martesën ndërmjet një burri e një gruaje, pasi ajo i jep dinjitet njeriut, por kundërshton teorinë “gjinore”: kështu u tha Papa pjesëmarrësve të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Papnor “Cor Unum”, të cilët i priti këto ditë, në Vatikan. Kujtojmë se teoria gjinore predikon se gjinia e njeriut nuk përcaktohet vetëm nga biologjia e tij e natyrshme, por edhe nga përvoja jetësore, prandaj ai që lind mashkull, mund ta ndjejë veten femër e të jetojë si e tillë dhe anasjelltas.
Qe i prerë Papa në përcaktimin e qëndrimit të krishterë në një botë superteknologjike, ku mendohet se ç’është e mundur teknikisht, është e ligjshme edhe moralisht. Arritjet e shkencës, sqaroi Benedikti XVI, mund t’i japin mundësi njeriut të kapërcejë disa kufij të paprekshëm më parë, por nuk i japin edhe pushtetin e plotë mbi botën. Humanizmi i matur vetëm me progresin e largon njeriun nga çdo lidhje të natyrshme, e privon atë nga shpirti, e prish çdo marrëdhënie personale të tij me Zotin. Në këndvështrimin e krishterë, theksoi Papa, dinjiteti i njeriut është i veçantë dhe i papërsëritshëm, e çon atë drejt marrëdhënieve e shoqërizimit:
“Prandaj, Kisha përsërit “po”-në e saj të madhe për dinjitetin e bukurinë e martesës, si shprehje e lidhjes besnike e të frytshme ndërmjet burrit e gruas, e “jo”-ja e saj për filozofitë, si ajo “gjinore” (gender), motivohet me faktin se reciprociteti ndërmjet mashkullores e femërores është shprehje e bukurisë së natyrës, dashur nga Krijuesi”.
Edhe historia e mëparshme ka treguar se njeriu, nëse i lë mënjanë marrëdhëniet e tij me Hyjin, bëhet autor i “idhujtarive” të tmerrshme, si “kulti i kombit, i racës, i klasës shoqërore”, të cilat kanë sjellë vetëm pabarazi dhe mjerim. Por edhe sot, theksoi Papa, ekziston tundimi drejt idhujtarisë, pavarësisht se në plane të tjera:
“I referohem sidomos thjeshtimit tragjik antropologjik, që propozon sërish materializmin e lashtë hedonist, të cilit i shton një lloj “premtimizmi teknologjik”. Nga lidhja ndërmjet këndvështrimit materialist të njeriut dhe zhvillimit të madh të teknologjisë arrihet në një antropologji, që në thelb, është ateiste. Ajo hamendëson që njeriu të reduktohet në qenie me funksione autonome, mendja, në tru, historia njerëzore, në vetërealizim”.
Papa u bën thirrje të krishterëve e çdo njeriu vullnetmirë t’i kundërshtojnë këto prirje me fe dhe mendjemprehtësi. Shpesh, ato paraqiten të veshura me “ndjenja të mira”, si përparim, si të drejta, apo si humanizëm i vërtetë:
“Para këtij thjeshtimi antropologjik, cila është detyra e çdo të krishteri e në veçanti, juaja, që impenjoheni në veprimtari bamirëse, prandaj jeni në marrëdhënie të drejtpërdrejta me shumë protagonistë të tjerë shoqërorë? Sigurisht, duhet të ushtrohet vigjilencë kritike e nganjëherë, të tërhiqen financime e bashkëpunime, që, drejtpërdrejt ose jo, favorizojnë veprime apo projekte në kundërshtim me antropologjinë e krishterë”.
E duke nënvizuar se si veprimtaria solidare e Këshillit Papnor “Cor Unum”, që kujdeset për bamirësinë e Atit të Shenjtë, mund të hapë portën e fesë për shumë njerëz, Benedikti XVI këshilloi:
“I krishteri, në veçanti, ai që vepron në organizmat e bamirësisë, duhet të orientohet nga parimet e fesë, përmes së cilës ne bashkohemi me “këndvështrimin e Zotit”, me planin e Tij për ne. Ky vështrim i ri mbi botën e mbi njeriun, që na jep feja, është edhe kriteri i drejtë për vlerësimin e bamirësisë, në rrethanat aktuale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.