Atë Federiko Lombardi: “Kundër armëve” për të rivendosur paqen
Në studion ovale, para tryezës së presidentit Barak Obama, ndodhet një portet i Abraham
Linkolnit, presidentit që i shpëtoi shpirtin Amerikës. Ndërsa kinematë mbushen me
filmin e regjizorit Stiven Spilberg për atë, që zhduku skllavërinë e zezakëve amerikanë
dhe mbajti të bashkuar kombin pas luftës së përgjakshme civile, SHBA diskutuan me
zjarr për një argument, që ka të bëjë shumë pikërisht me shpirtin e amerikanëve. Javës
që kaloi, nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Obama nënshkroi 23 dekrete për të ndaluar
armët automatike dhe karikatorët e plumbave me mbulim të madh, por edhe për të kontrolluar
identitetin e atyre, që i blejnë. Shumë nga shtetet amerikane nuk janë dakord, të
vendosur ta mbrojnë deri në fund në Kongres, ligjshmërinë e armëmbajtjes e të përkrahur
nga lobet e fuqishme të tregtisë së armëve, që nuk u prekën aspak nga vrasja e 20
fëmijëve në shkollën e Njutaunit, pikërisht me njërën prej këtyre armëve, mbajtur,
pa dyshim, me leje. Këtij debati ia kushton komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë
së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë: “Nismat e administratës amerikane
për kufizimin dhe kontrollin e përhapjes e të përdorimit të armëve janë, natyrisht,
një hap në drejtimin e duhur. Vlerësohet se amerikanët zotërojnë sot rreth 300 milion
armë zjarri. Askush s’mund ta gënjejë veten, duke menduar se mjafton të kufizohet
numri dhe përdorimi, për të penguar masakra të ardhshme të tmerrshme, si ajo e Njutaunit,
që tronditi ndërgjegjen amerikane e botërore e, të tjera si ajo, ku mund të përfshihen
fëmijë e të rritur. Por edhe më keq do të ishte të kënaqeshim vetëm me fjalë. E pavarësisht
se këto masakra bëhen nga njerëz të çekuilibruar e të shpërfytyruar nga urrejtja,
s’ka dyshim se bëhen me armë. 47 krerë të feve të ndryshme u bënë thirrje deputetëve
amerikanë të kufizojnë armët e zjarrit, që “po e bëjnë shoqërinë të paguajë një çmim
të papranueshëm, me masakra e viktima pa kuptim”. Edhe unë jam me ta. Por,
ndërsa shoqëria amerikane impenjohet në këtë debat për zhvillimin e duhur civil e
moral, nuk mund të mos e shtrijmë horizontin, për të kujtuar se armët, në të gjithë
botën, edhe pse pjesërisht mjete për mbrojtjen e ligjshme, janë sigurisht mjeti kryesor
për kërcënime, dhunë e vdekje. Prandaj, duhet t’i përsërisim pa u lodhur kurrë thirrjet
për çarmatim, të kundërshtojmë prodhimin, tregtimin, kontrabandën e armëve të çdo
lloji, që ushqehen nga interesa të padenja ekonomike e politike. Nëse arrihen rezultate,
si nënshkrimi i konventave ndërkombëtare, ndalimi i minave kundër njeriut dhe i formave
të tjera të armëve vdekjeprurëse, reduktimi i numrit të jashtëzakonshëm e të shpërpjestuar
të armëve bërthamore… mirëse të vijnë! Por armët janë e do të jenë gjithnjë tepër.
Siç thoshte Papa, duke udhëtuar drejt Libanit, të gjithë tronditemi nga masakrat në
Siri, por armët vazhdojnë të mbërrijnë. Paqja lind nga zemra, por do të jetë më e
lehtë të arrihet, nëse do të kemi më pak armë nëpër duar”.