2013-01-19 12:21:41

Me 19 janar kalendari kujton shenjtorët Marion e Martën


Me 19 janar kalendari i Kishës katolike përkujton Shenjtorët Marion e Martën me familjarët e tyre, martirë. Pra me 19 janar Kisha katolike përkujtoi Shenjtorët Marion, Martën bashkëshortë dhe fëmijët e tyre, Abakon e Audifaçen, martirizuar në Romë.
Emri ‘Mario’ vjen nga keltishtja e do të thotë ‘burrë’, por populli beson se është gjinia mashkullore e emrit femëror ‘Maria’. Dëgjohet edhe në Shqipëri e në Kosovë si në trajtën e parë, Mario, ashtu edhe në trajtën Marian. E kjo, sepse kulti që lidhet me Virgjërën Mari, njihet edhe si kult marian.
Shenjti legjendar, Mario, arriti në Romë së bashku me gruan e tij, Martën e me fëmijët: Abakon e Audifaçen nga Persia e largët për të nderuar reliket e martirëve, siç bënin shumë të krishterë në atë kohë. Duhet të jetë nisur për shtegtim rreth viteve 268-270, në kohën e sundimit të perandorit Klaudio II, kur kishte pushuar përkohësisht persekutimi kundër të krishterëve.
Me sa mësojmë nga data e martirizimit, duhet të jetë vendosur në Romë, ku po përhapej me shpejtësi të jashtëzakonshme feja re, krishterimi. E aty ishte edhe në kohën kur Diokleciani, i shtyrë nga konsulli Galerio, shpalli tre edikte, pas të cilave rinisi një nga persekutimet më të tmerrshme kundër nxënësve të Krishtit.
Atëherë Mario e familjarët e tij u akuzuan se kishin varrosur gjatë rrugës romake Salaria trupat e 260 martirëve, që kishin mbetur mbi dhe me koka të prera. U dënuan me vdekje për këtë gjest e për fenë e tyre në Jezu Krishtin. Pësuan të njëjtin fat të njerëzve që kishin varrosur për shkakun e fesë së tyre në Krishtin Shpëtimtar, duke u martirizuar nën prefektin Flaviani. Reliket e Shën Marios nderohen në kishat romake të Shën Adrianit e të Shën Prasedes dhe në manastirin gjerman me arkitekturë romanike të Seligenshtadit.







All the contents on this site are copyrighted ©.