2013-01-18 18:36:54

“Ndihmë për Kishën që vuan” kujton 100-vjetorin e themeluesit, atë Verenfrid van Shtraten


“Apostull i shquar i bamirësisë”. Kështu e quante i Lumi Gjon Pali II, themeluesin e organizatës kishtare “Ndihmë për Kishën që vuan”, atë Verenfrid van Shtraten. Papa polak dhe murgu hollandez kishin miqësi të thellë, që nga koha kur Vojtila ishte kryeipeshkëv i Krakovisë. E pikërisht atë Verenfridit ia besoi Ati i Shenjtë mbështetjen e Kishës, katolike e ortodokse, pas rënies së komunizmit. Ishte shprehje e dashurisë së Kishës Katolike për të gjithë të krishterët, pa dallim.
Më 17 janar, organizata “Ndihmë për Kishën që vuan” kremtoi 100-vjetorin e lindjes së themeluesit të saj, Atë van Shtraten, i cili u nda nga kjo jetë më 31 janar 2003, vetëm dy javë pasi mbushi 90 vjeç. “Lypësi më i madh i 900-s”, siç e quanin për shkak se u kërkonte të gjithëve ta ndihmonin me fonde për projektet e organizatës, i la trashëgim Veprës që themeloi, shembullin e mëse gjysëm shekulli pune të guximshme, e cila – kujtojmë – e çoi organizatën edhe në Shqipëri, për të ndihmuar Karitasin e ndërtimin e kishave anembanë vendit, si edhe për t’u dhënë bursa studimi studentëve e klerit. Por i la edhe berretën e tij të zezë, “kapelën e milionave”, siç e quanin. “Kapela është e vjetër e plot vrima – ironizonte atë van Shtraten – prandaj mbusheni me bankonota e jo me monedha. Përndryshe bien përtokë”. Gjatë gjithë jetës, mblodhi rreth 3 miliard dollarë për Kishën në nevojë, me bindjen se “njerëzit janë më të mirë nga sa mendohet. Presin vetëm një fjalë që t’ua përflakë zemrën”.
“Buxheti ynë janë premtimet”, thoshte murgu premostratens, duke kujtuar sa herë premtonte, pa asnjë lek në xhep. “E gjithçka kemi premtuar, na ka mbërritur, gjithmonë, gjithmonë. Zoti nuk na ka zhgënjyer kurrë”. Kur, 21 vjeçar, hyri në abacinë e Tongerlit, Filipus van Shtraten zgjodhi emrin Verenfrid, që do të thotë “luftëtar për paqen”. Ai emër iu përshtat më së miri jetës së tij, në ndihmë të “vëllezërve të persekutuar”. “Zoti derdh lot përmes të gjithë të shtypurve e të vuajturve të kohës sonë – thoshte për misionin e vet. E nuk mund ta duam, pa ia fshirë lotët. Prandaj, fillova të shtegtoj nëpër shkretëtirat e rrënojave e nëpër kampet me baraka në Gjermaninë e mundur, nëpër kampet e refugjatëve në Evropë, në Azi e në Amerikën Latine. Kudo, ku Zoti derdh lot”.
Ky është edhe misioni, që i pati besuar Veprës së themeluar prej tij, “Ndihmë për Kishën që vuan”, e cila kapërceu e vazhdon të kapërcejë sa e sa “perde të hekurta” për t’u çuar njerëzve Fjalën e Zotit e ndihmën e të krishterëve. Qëllimi i kësaj pune, mbetet amaneti i atë Verenfrid van Shtraten, që thoshte: “Nuk e kam për detyrë të shpëtoj ekonominë, por jetën e Krishtit në zemrën e njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.