2013-01-18 18:29:26

Shqipëri: Shkatërrimi i Kishës së “Onufrit” shqetëson botën e qytetëruar


Vjedhja e shkatërrimi i afreskut të Onufrit në Kishën Shëna Premtes në Valsh të Elbasanit është pasqyruar edhe nga agjencia franceze e lajmeve AFP. "Një Kishë e shek. të 16- të është grabitur dhe plaçkitur në Shqipëri. Kisha ortodokse konsiderohej si një nga perlat e trashëgimisë kulturore, qe shpallur monument kulture në vitin 1963 dhe ndodhej 60 km në jug të Tiranës", - shkruan agjencia. "Disa afreske u dëmtuan rëndë me thika ndërsa pjesë të tyre janë vjedhur, ndërsa kishte edhe copëza të tjera të rëna në dysheme. Dyshohet se ngjarja ka lidhje me trafikimin e veprave të artit ose është një akt ekstremist", - tha për AFP-në, Arbër Kadia, i cituar prej tyre si zyrtar i Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

Kisha e Valshit, eshte një objekt i rëndësishëm në kulturën shqiptare të periudhës post-bizantine. Afresket e saj janë vepër e piktorit më të famshëm mesjetar shqiptar Onufri, i njohur për intensitetin unik të ngjyrave dhe skenat humaniste të ikonografisë ortodokse. "Kisha është dëmtuar dy herë, një herë natën e 31 dhjetorit e një herë më 4 janar", - citohet të ketë thënë Arbër Kadia, ndërsa ka shtuar se autoritetet po shqyrtojnë disa pista.

Krimi i rëndë
Nga ana tjetër, agjencia e lajmeve AFP-ja, ekspertin e trashëgimisë dhe deputetin e PS-së e ka pyetur në cilësinë e historianit. Sipas agjencisë, Auron Tare ka deklaruar se ngjarja "është krimi më i rëndë i kulturës shqiptare".
"Afresket e shenjtorëve kryesorë të ikonografisë biblike që mbulonin muret janë të dëmtuara rëndë", - ka shtuar ai.
"Megjithatë, - tha zoti Tare, - vandalët nuk kanë arritur të vjedhin afreskun e Virgjëreshës dhe Jezusin foshnjë".
Që nga rënia e komunizmit në vitet '90, më shumë se dy mijë ikona dhe qindra vepra arti janë vjedhur nga muzeumet, zonat arkeologjike dhe vendet e kultit në Shqipëri. Në vitin 2008, 18 ikona janë vjedhur nga Kisha bizantine e Shën Marisë së Labovës (220 km në jug të Tiranës) ndërsa përgjegjësit e kësaj ngjarjeje ende nuk janë zbuluar. Sipas ekspertëve, në vitin 2012, autoritetet shqiptare kanë dhënë rreth 200.000 € për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, një lëmoshë kjo, në krahasim me nevojat e vendit, shkruante më 16 janar 2013 AFP.
Nga FATMIRA NIKOLLI

Banorët e komunës së Gjinarit, ku ndodhet Kisha Shëna Premtes në të cilën u dëmtua afresku i Onufrit, kanë vendosur të mbledhin vetë para që të paguajnë rojë për monumentin. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i komunës, Kristaq Shqau. Të hënën ai konfirmoi për "GSH" se familjet e të gjitha fshatrave kanë vendosur që t'i ruajnë me kontributin e tyre financiar kishat shekullore të rëndësishme për trashëgiminë kulturore që ndodhen në zonë. "Të hënën, pleqësitë e lagjeve të çdo fshati në komunën Gjinar të Elbasanit kanë raportuar dakordësinë e çdo familjeje për të kontribuar në ruajtjen e kishave të zonës së Shpatit. Gjithçka ka ardhur natyrshëm dhe solidariteti i shpatarakëve ka qenë i jashtëzakonshëm", - ka thënë kryekomunari i Gjinarit, Kristaq Shqau. Shuma që familjet do të japin është simbolike, rreth 50 lekë të reja në muaj, ndërsa rojat sërish nuk do të jenë 24 orë, por do të kenë rolin e vëzhguesit. Në këtë zonë banojnë rreth 7600 vetë. E ndërsa kanë kaluar dy javë nga koha e shkatërrimit barbar të afreskeve të Kishës Shën e Premte në Valsh të komunës së Gjinarit në Elbasan, ende e gjithë ngjarja vazhdon të mbetet e mbuluar me mister. Gjatë gjithë këtyre ditëve është aluduar në të gjitha format e mundshme rreth qëllimit të vërtetë që mund të kenë pasur keqbërësit që shkatërruan afresket e pikturuara nga Onufri në këtë kishë, por me kalimin e ditëve çdo gjë po bëhet edhe më e mistershme. Pas sensibilizimit mediatik që iu bë kësaj ngjarjeje, edhe strukturat shtetërore janë angazhuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, që tashmë është regjistruar edhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Drejtuesi i saj, Elvin Gokaj, nga ana e tij, i pyetur për ecurinë e hetimeve, deklaroi se çështjen për zbulimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të vjedhjes, si dhe të shkatërrimit të afreskeve të pikturuara nga Onufri në kishën Shën e Premte në Valsh të komunës së Gjinarit ia ka deleguar policisë së Elbasanit.


Më herët, arkeologu dhe historiani Riza Hasa ka denoncuar publikisht se dëmtime të tilla të ngjashme kanë ndodhur edhe në kisha e objekte të tjera shumë të lashta të Qarkut të Elbasanit, si në kishën-shpellë të Koshorishtit në fshatin Letëm në komunën e Lunikut dhe në atë të Urakës pranë vendit të quajtur "Kthesat e Qafë Thanës" në komunën e Rrajcës në nënprefekturën e Librazhdit etj. Kishat e qarkut të Elbasanit kanë qenë dhe mbeten me vlera të jashtëzakonshme. Në shumicën e tyre nuk mbahen mesha dhe në to rrjedhimisht as shërbejnë priftërinj. Megjithatë ato prej kohësh janë kthyer ndër vendet më të vizitueshme nga besimtarët dhe turistët.







All the contents on this site are copyrighted ©.