2013-01-18 19:26:46

Shqipëri: Komuniteti mysliman në Tiranë mediton mbi Kur’anin


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi sot në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, programin "Kur'ani Famëlartë, udhërrëfyes për njerëzimin, eveniment i organizuar nga medresetë e vendit".
Organizimi i një programi të tillë është kthyer në traditë në të gjitha medresetë, por këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, ky program u vendos të zhvillohej në Tiranë, për t'u përjetuar nga sa më shumë njerëz.
Ceremonia u hap me një pjesë kur'anore të përcjellë me emocion nga hafizi medresist Enes Hyka, dhe më pas u interpretuan ilahi e poezi, të cilat evidentuan vlerat dhe mesazhet e larta të Kur'anit, librit përmbyllës të dëftimit hyjnore.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, foli për rëndësinë e Kur'anit si libër i zbritur për njeriun dhe shpëtimin e tij në të dy jetët. "Zoti i ka atribuuar njeriut cilësinë e mëkëmbësit të Tij në tokë. Për ta nderuar edhe më shumë Ai ka zbritur Kur'anin, si manual orientues e ndihmës për ndërtimin e jetës mbi vlerat e moralit dhe virtytit", tha Muça.
510 nxënës të medreseve të Tiranës, Kavajës, Korçës, Cërrikut e Beratit, kanë filluar mësimin e Kur'anit që nga muaji shtator 2012 dhe falë vullnetit dhe punës këmbëngulëse kanë arritur të hyjnë në Kur'an, falë ndihmës së madhe që kanë dhënë edhe mësuesit e kësaj lënde. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.