2013-01-18 17:46:07

Shenjtorët e Javës


E diel, 20 janar, Kisha katolike kremton të dielën e 2-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 20 janar kalendari kishtar përkujton shën Fabianin, papë e martir dhe shën Sebastianin, martir.
Ungjilli i kësaj së diele na flet për dasmën e Kanës. Kisha na fton të reflektojmë mbi “shenjën” apo mrekullinë e parë bërë nga Jezusi me shndërrimin e ujit në verë: vëra shpreh dashurinë besnike të Zotit për njeriun, ndërsa uji është imazhi i njerëzimit që kërkon e dëshiron shndërrimin e jetës e arritjen e shpëtimit.
Po këtë diele kremtohet Dita e lutjes për bashkimin e të krishterëve.

Të hënën më 21 janar, kalendari kujton shën Anjezen, virgjër e martire romake.

Të martën më 22 janar, kalendari kujton shën Vinçenc Palotin, meshtar.
Të mërkurën me 23 janar, bie përkujtimi i shën Emerencianës, martire romake dhe shën Ildefonsit, ipeshkëv i Toledos.
Të enjten më 24 janar, kalendari liturgjik përkujton festën e Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv i Gjenevës dhe doktor i Kishës, themelues i Urdhrit të Vizitacionit, pajtor i shtypit katolik.
Të premten më 25 janar bie festa e Kthimit të Shën Palit Apostull në fenë e Jezu Krishtit, që na kujton se Ai, Shpëtimtari i njerëzimit u ngjall, duke e shndërruar vdekjen në jetë.
Të shtunën më 26 janar do të kremtohen Shën Timoteu e Shën Titi, ipeshkvij, nxënës të Shën Palit si dhe Shën Paola, matronë romake.
Të dielën e ardhshme më 27 janar, Kisha do të kremtojë të dielën e 3-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 27 janar sipas kalendarit liturgjik bie përkujtimi i Shën Angela Meriçit, virgjër, themeluese e Orsolineve si dhe Shën Vitalianit papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.