2013-01-18 17:20:10

Nunci apostolik në Serbi mendon se është ende shpejt për vizitën e Papës, por pohon se po bëhen hapa përpara.


Tani për tani Papa nuk do ta vizitojë Serbinë, por ka nisur puna për kapërcimin e pengesave, që e ndalojnë. Është ky pohimi, në agjencinë Sir, i nuncit apostolik në vendin ballkanik, imzot Orlando Antonini. Ka probleme historike, pohoi imzot Antonini, që nuk i krijojnë ende plotësisht kushtet për këtë vizitë. Por nuk mungojnë hapat para. Një prej tyre, ishte hapja e kremtimeve për 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos, në Nish të Serbisë, me një koncert në Teatrin kombëtar. Kremtimi përkujtoi vendimin jetik për krishterimin, me të cilin, në vitin 313, Perandori romak i dha fund persekutimit të të krishterëve.
Gjatë ceremonisë e morën fjalën presidenti serb, Tomislav Nikoliç dhe Shenjtëria e tij Irenej, patrik i Kishës ortodokse serbe. Edhe nunci apostolik, imzot Antonini, u drejtoi fjalën pjesëmarrësve në këtë ngjarje përkujtimore . E kjo, së bashku me shumë të tjera, është një shenjë, që flet për shtendosjen e atmosferës. U vlerësua shumë, për shembull, fakti se në Komitetin organizues të kremtimeve (kryesuar nga presidenti serb e nga patriku Irenej) është i pranishëm si delegat i të gjithë ipeshkvijve katolikë të Serbisë, kryeipeshkvi i Beogradit, imzot Stanislau Hoçevar.
E pasaj, është hera e parë që një përfaqësues i Selisë së Shenjtë e merr fjalën në një ceremoni përuruese, si kjo e mbrëmshmja. Janë procese historike të gjata, shpjegon nunci, por ne duhet të kemi besim, të njihemi më mirë, t’i thellojmë qëndrimet e ndryshme e, sidomos, të sillemi me dashuri e ndjenja vëllazërore. Nyjat historike nuk zgjidhen menjëherë. Kërkojnë kohë. Por sot mund të themi se po përpiqemi për zgjidhjen e tyre.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, nunci e vuri theksin kryesisht tek liria fetare, e dekretuar për herë të parë në histori përmes Ediktit të Kostandinit, që kërkoi t’i njihej menjëherë kjo e drejtë jo vetëm të krishterëve, por të gjithë besimtarëve. Është fjala, shtoi imzot Antonini, për lirinë e ndërgjegjes, një fitore e madhe e kulturës politike, etike e ligjore.
Ishte, vijoi nunci, një ngjarje thelbësisht e krishterë, sepse qenë të krishterët ata, që e detyruan pushtetin politik të pranonte se të drejtat e njeriut vijnë para shtetit e se shteti duhet t’i njohë e t’i garantojë.
Ngjarjet kremtore, që nisën dje, do të vijojnë deri më 28 tetor. Kardinali Anxhelo Skola, kryeipeshkëv i Milanos, do të marrë pjesë, më 21 shtator, në një shtegtim drejt Nishit, vendlindja e Kostandinit, Perandorit të madh të Perendorisë romake, me të cilin nisa liria e fesë për të gjithë besimtarët, banorë të një hapësire të pafundme, që shtrihej në tre kontinente.








All the contents on this site are copyrighted ©.