2013-01-18 14:07:48

Me 18 janar kalendari kujton shën Priskën, martire


Sot me 18 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Priskën, Martire. Kur flasim për figurën e Shën Priskën duhet thënë se nuk është e lehtë të përshkruhet jeta e kësaj martire romake, ndonëse për të kemi një mori dokumentesh të lashta. E kjo, sepse ka shumë mundësi që njoftimet, të cilat duken sikur flasin për të, i përkasin tri martireve të ndryshme: asaj vetë, Priskës gruas së Akuilës, të cilën e kujton Shën Pali Apostull dhe një shenjtoreje tjetër me të njëjtin emër, që nuk përmendet më në kalendarët kishtare.
Nga Aktet e martirizimit të Shën Prsikës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin Klaudio (268-270) e se duhet të jetë varrosur në Rrugën Ostiense. Më pas reliket e saj u mbartën në Aventin.
Sipas gojëdhënës ajo qe nxënësja e parë e Shën Pjetrit apostull që e dëshmoi fenë e vet me martirizim. Sidoqoftë sot Kisha e nderon Priskën martire si ‘fryt i parë i apostullimit të Peshkatarit të Galilesë’ dhe si themeluesen e Kishës romake me të njëjtin emër, për të cilën na flet epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës.
Kisha e lashtë e Shën Priskës në Aventin, një stoli e vërtetë ndërmjet antikiteteve të shumta romake, lartohet mbi themelet e një shtëpie të madhe të shekullit II, gjë që është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike. Duhet të ketë qenë shtëpia e vashës romake, që dha jetën në lule të moshës për Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.