Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit ‘C’
Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës,
kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik
të Kishës. Dëgjues të nderuar, pas festës së kohës së Krishtlindjes, me këtë të
diele me kalendarin Kishtar kalojmë në kohën liturgjike, pra shpirtërore, të zakonshme
e cila quhet ‘koha gjatë vitit Kishtar’, që do të thotë se përfshinë ato të diela
që janë jashtë kohëve të forta shpirtërore liturgjike siç janë koha e Ardhjes, koha
e Krishtlindjes, koha e Kreshmëve, koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve. Fjala e Zotit
e kësaj së diele të dytë gjatë vitit Kishtar, vazhdon të zhvillojë e të na shpjegojë
duke na paraqitur misterin e dëftimit, pra misterin e shfaqjes së Zotit tonë Jezu
Krisht, mister që kemi kremtuar pikërisht në kohën e Krishtlindjes e deri në festën
e Dëftimit të Zotit (Ujit të Bekuar) e të Pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan. Liturgjia
e lashtë Kishtare këndonte me këto fjalë: “Sot Kisha i bashkohet Dhëndrit qiellor:
mëkatet e saj janë larë prej Krishtit në lumin Jordan; Dijetarët e Lindjes i sjellin
Jezusit dhurata dasme, dhurata martesore; uji është shndërruar në verë në Kanë të
Galilesë e të ftuarit e dasmës po festojnë plotë gëzim. Aleluja”! Në realitet,
mund të themi se çdo të diele në Liturgjinë Eukaristike ne kremtojmë misterin e dëftimit
të Zotit tonë Jezu Krisht. Ai na dëftohet në shumë mënyra e në një mënyrë tejet të
veçantë dëftohet në shenjat e shenjta të Meshës, në Eukaristi i ka trajtat e të Ngjallurit,
tiparet e Atij që e ka mundur të keqen, që e mposhtur të keqin, që e ka asgjësuar
vdekjen, që e shndërruar vetminë në bashkësi, trishtimin në gëzim, vdekjen në jetë. Prandaj,
për besimtarët e krishterë, çdo e diel është festë e Pashkëve, momenti më i lartë
i dëftimit të Zotit dhe i takimit tonë me Të. Për këtë arsye Mesha Shenjte, pra Eukaristia
merr ngjyrë, tonë e shije feste, gëzimi dhe petkat liturgjike të meshës janë solemne:
sepse kur jemi të pranishëm në Meshën Shenjte, kur marrin pjesë në Eukaristi, ne shkëputemi
prej punëve tona të përditshme, prej shqetësimeve e angazhimeve tona për të marrë
pjesë në praninë e Zotit, për ta dëgjuar Fjalën e Tij jetëdhënëse, dritëdhënëse, si
dhe për ta takuar e pastaj për të shijuar dashurinë e Tij Hyjnore, bekimin e Tij Hyjnor,
përdëllimin e Tij e miqësinë e bujarinë e sofrës së Tij Hyjnore, të cilën Jezusi e
shtron për çdo njeri e për secilin prej nesh, për na mundësuar pjesëmarrjen në Jetën
e Tij. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni (Gjn2,1-12) na njeh me fillimin
publik të misioni shpëtimprurës të Jezu Krishti dhe Atë na e paraqet të pranishëm
dhe pjesëmarrës në një festë të bukur martesore, në dasmën e dy të rinjve që martoheshin
në Kanë të Galilesë. bashkë me Nënën e tij Virgjërën Mari dhe nxënësit e tij. Festa
e martesës së Kanës së Galilesë është simbol i bashkimit që Zoti gjithmonë ka dashur
të realizojë me njerëzimin. Këtë bashkim që Ati Qiellor përmes dhe në të Birin e Tij
Njëlindurin Jezu Krishtin e ka vendosur sërish me njerëzimit, na tregon dhe pohon
edhe identitetin e vërtetë të Jezusit, në të cilin jeta e njeriut shndërrohet dhe
kalon nga mëkati në përdëllim, nga hakmarrja në falje, nga urrejtja në dashuri, nga
errësira në dritë, nga thatësira në begati, nga vdekja në jetë. Për ta përmirësuar
dhe shndërruar jetën tonë në një jetë me të vërtet cilësore, në leximin e dytë të
kësaj së diele nga letra e parë drejtuar Korintianëve, shën Pali Apostull na fton
të shkojmë përtej interesave tona personale, të bëhemi vegla puna për të mirën e përbashkët
shoqërore kombëtare e botërore, sepse “dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt
është i njëjtë”. Duke jetuar sipas Shpirtit të Zotit, ne mësojmë të jetojmë vëllazërisht,
në përkim, pajtim e respekt me njëri-tjetrin. Gjithçka që është njerëzore është
e çmueshme për Zotin. Në Kanë të Galilesë, Jezusi e bënë mrekullinë e parë, duke shndërruar
ujin në verë. Kjo mrekulli është njëkohësisht edhe kumtimi i parë i Eukaristisë dhe
bekim i Krishtit mbi dashurinë e anasjelltë të çiftit martesor. Pra, Ungjilli i
kësaj së diele na flet për dasmën e Kanës, e Kisha na fton të reflektojmë mbi “shenjën”
apo mrekullinë e parë bërë nga Jezusi me shndërrimin e ujit në verë: vëra shpreh dashurinë
besnike të Zotit për njeriun, ndërsa uji është imazhi i njerëzimit që kërkon e dëshiron
shndërrimin e jetës dhe arritjen e shpëtimit. Dëftimi i Jezusit që na shfaqet në
dasmën e Kanës së Galilesë përmes mrekullisë së shndërrimit të ujit në verë pohon
afërsinë e Zotit ndaj njeriut. Nga kjo ngjarje fillon pra manifestimi i asaj çka Jezusi
është edhe për ne, sot. Burim gëzimi, fuqi jete dhe dritë për hapat tanë. Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Is 62, 1-5 Hyji i dhuron
shpëtimin e vet Jerusalemit, para të gjithë popujve me një dashuri të ngjashme me
atë të dhëndrit për nusen e vet. Është Hyji që pranon njerëzimin tonë për një akt
të pastër dashurie dhe na jep qartësinë e vlerës së jetës sonë. Njerëzimi nuk do thirret
më “i harruari, i braktisuri”, por do të quhet gëzimi i Hyjit, shok i të Tejlartit.
Lexim
prej Librit të Isaisë profet Për shkak të Sionit unë nuk do të heshtoj, për
shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim – deri që drejtësia e tij të dalë porsi
drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba! Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë
tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta
caktojë goja e Zotit. Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë mbretërie në
shuplakë të Hyjit tënd. Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E
shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i
pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e martuar. E njëmend, sikurse i riu që martohet
me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet
nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt. Fjala e Zotit.
Psalmi 96 Ti,
o Zot, i bëre të gjitha gjërat të reja ---------- Këndoni Zotit një këngë
të re! Mbarë toka le t’i këndojë Zotit! Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij. ---------- Shpalleni
si një ditë për ditë shpëtimin e tij, kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, ndër
mbarë popujt mrekullitë e tija! ---------- Jepni Zotit, familjet e popujve, jepni
Zotit nder e fuqi, jepjani Zotit nderin e Emrit të tij! ---------- Dridhu,
o rruzull, para fytyrës së tij! Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!” Ai
e mban botën që të mos shkatërrohet; i gjykon popujt me drejtësi. ----------
Leximi
i dytë 1 Kor 12, 4-11 Shpirti u dhuron të krishterëve thirrje të ndryshme sipas
personalitetit të secilit. Por këto ndryshime mund t’i shtyjnë të krishterët të vihen
njëri kundrejt tjetrit. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet pa humbur personalitetin
e secilit duke i shërbyer të mirës së përbashkët.
Lexim prej Letrës së
parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve Dhuratat janë të ndryshme,
por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të
ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por
Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë
të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët. Dhe njëmend, Shpirti
Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep
fjalën e dijes; po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë,
i njëjti Shpirt Shenjt i jep dhuratën e shërimeve; një tjetri pushtetin për të bërë
mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri
zotësinë e gjuhëve të ndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. E të gjitha këto
i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si do Ai. Fjala
e Zotit.
Ungjilli Gjn 2, 1-12 Jezusi me kërkesën e Marisë, nënës
së tij, kryen mrekullinë e parë në Kanë të Galilesë, duke shndërruar ujin në verë.
Me këtë shenjë Ai ka zbuluar hyjninë e vet dhe domethënien më të thellë të jetës së
tij. Me Jezusin arrin “ora” e shumëpritur nga profetët, ora e dasmës së Hyjit me njerëzimin.
Kjo orë do të realizohet përfundimisht kur nga kraharori i Krishtit mbi kryq do të
rrjedhë gjak dhe ujë.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit Të tretën
ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë
e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha:
“Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi
koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!” Ishin aty të
vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte
dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri
në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan.
Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte –
shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin
dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell
verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!” Kjo qe mrekullia e
parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit
e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet,
e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë. Fjala e Zotit.
Më
tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu............