2013-01-18 18:28:32

Kardinal Sandri: Kishat e Lindjes na mësojnë solidaritetin e na nxisin ta rizbulojmë fenë


Lindja, e afërt dhe e largët, “ka një impuls apostolik e misionar për t’u admiruar. Kjo e ndihmon Perëndimin ta rizbulojë fenë e krishterë dhe vlerat e solidaritetit e të mikpritjes. Megjithë vështirësitë e luftës e nevojat e mëdha, lindorët ia fillojnë nga e para, duke u nisur nga vlerat e krishtera. Janë shembull”. Flet kështu prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri. Javës që kaloi, ai mori pjesë në paraqitjen italiane të Shoqatës Katolike Bamirëse për Lindjen e Afërt, me qendër në Nju Jork, e cila u themelua në vitin 1926 nga Papa Piu XI pikërisht për të ndihmuar Lindjen e krishterë, nga Lindja e Mesme në Afrikën Verilindore e në Indi.
Duke vënë në dukje karakteristikat e këtyre popujve, kardinali Sandri pohoi se është “mikrpitja, cilësia kryesore e popujve të krishterë të ritit lindor, cilësi, që duhet vlerësuar më shumë në Perëndim. Ajo dëshmohet në dashurinë e treguar ndaj refugjatëve, të cilët ikin nga luftrat, edhe nga ata të krishterë, që janë vetë të varfër”. Kardinali shprehu admirim për Kishën në Indi, e cila, pavarësisht nga kufizimet e shumta, karakterizohet nga një impuls apostolik i fuqishëm. Diaspora e krishterë indiane është shumë aktive në shpalljen e mesazhit të Ungjillit e Selia e Shenjtë po mendon si t’i ndihmojë nga pikpamja baritore. Natyrisht, këtu përfshihet edhe gjithë solidariteti i Kishës Katolike për emigrantët e të gjitha llojeve, që, siç thekson edhe Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Botërore të Emigrantit, janë pasuri shpirtërore, që e gjallëron jetën kishtare në vendin mikpritës.







All the contents on this site are copyrighted ©.