2013-01-18 18:36:14

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve


Filloi më 18 e do të përfundojë më 25 janar, Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila sivjet ka për temë një frazë të Mikesë profet: “Ç’kërkon Zoti prej nesh” (6, 6-8). Janë të krishterët e Indisë, ata që kanë përgatitur tekstet për edicionin 2013, duke u përqendruar në gjendjen e vështirë e diskriminuese të dalitëve, apo të indianëve jashtë kastave.
Problemi nuk ka të bëjë vetëm me shoqërinë indiane në përgjithësi, por edhe me vetë bashkësinë e krishterë, në dy kahe: ka anëtarë të saj, që i shohin me përbuzje dalitët, por, nga ana tjetër, dalitët përqafojnë shpesh fenë e krishterë, pikërisht sepse ajo predikon dashurinë e Zotit për të gjithë njerëzit, prandaj bashkësia, ku marrin pjesë, vihet në shënjestër.
Vetë indianët shkruajnë: “Ndarja ndërmjet të krishterëve të Indisë theksohet edhe më shumë nga kastat. Ky është një fenomen, që i vë përballë sfida të rëndësishme Kishës në Indi dhe dëshmisë së saj si korp i vetëm i Krishtit”. Kisha Katolike e pyet veten, së bashku me Mikenë profet, se ç’kërkon Zoti prej saj, në këtë situatë. Përvoja e dalitëve bëhet kështu burim reflektimesh teologjike edhe mbi këtë temë biblike.







All the contents on this site are copyrighted ©.