2013-01-18 18:28:41

Gjykata e Lartë e Pakistanit e shpall të pafajshme Rimsha Masih, akuzuar për blasfemi


Gjykata e Lartë e Pakistanit hodhi poshtë javën e kaluar akuzën kundër vajzës 14-vjeçare të krishterë, Rimsha Masih, e cila, megjithëse me të meta mendore, u hodh në gjyq për blasfemi, pasi pati djegur disa faqe me pjesë nga Kurani. Me këtë vendim, Gjykata konfirmon pafajësinë e Rimshës, për shpëtimin e së cilës u mobilizua gjithë bota, e jo vetëm të krishterët. Në mikrofonin tonë, këshilltari i Ministrit për Harmoninë kombëtare në Pakistan, Paul Bhatti, rrëfen se ndjehet i çliruar. Ta dëgjojmë:
Ndjehem i çliruar, sepse nuk e mendoja se njerëzit, të cilët akuzuan vajzën, do t’i drejtoheshin Gjykatës së Lartë. Kur u bë e njohur aktakuza, u shqetësova, sepse gjërat në Pakistan nuk po shkojnë dhe aq mirë.
Rimsha u akuzua mbi bazën e ligjit për blasfeminë…
Kur e mora vesh lajmin, u shqetësova jashtëzakonisht pasi e pamë menjëherë se vajza ishte e pafajshme: ndër të tjera, edhe shumë e shumë e varfër. Prandaj, vendosa ta mbroj, përmes të gjitha kanaleve të mundshme. Jam shumë i kënaqur që, në këtë rast, më përkrahën edhe krerët fetarë myslimanë.
Rimsha akuzohej se dogji disa faqe me fraza nga Kurani…
Po. Më pas, e analizuam hirin dhe verifikuam se ishte hi druri. Jam i sigurtë, sepse e kam dërguar personalisht në laborator qesen e mbyllur, me mbikqyrje të veçantë. Thanë se ishte hi druri të djegur. Gjithashtu, vunë re se kishte edhe hi bari të njomë, që do të thotë, se dikush e kishte sjellë nga jashtë dhe e kishte vendosur në qese. Ia vumë në dukje edhe këtë fakt gjykatësit, sepse nuk mund të ekzistonte: nëse ajo i kishte djegur faqet në shtëpi, si ka mundësi që në hi të gjendej bar i njomë? Prandaj, provuam se akuza ishte e rreme.
Ligji për blasfeminë është në bazën e proceseve për qindra vetë në Pakistan, apo jo?
Ky ligj është zbatuar më së shumti, pas vitit 1985. Para 1985-ës e pas shpalljes së pavarësisë, ka pasur vetëm një rast blasfemie. Që nga 1985-a e deri më sot janë akuzuar gati 4 mijë vetë. Aktualisht, janë hedhur në gjyq mëse 400 vetë, shumica e të cilëve janë myslimanë e po presin vendimin e gjykatësve në shkallë të ndryshme të procesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.